Berisha: Në Kosovë po shihet si patriot, por Edi Rama është duke i dëmtuar rëndë Hashim Thaçin e Kadri Veselin – Ja pse!

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, në emisionin Kojshia Show në DTV, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, duke thënë se ai po i bën tradhtinë Kosovës.

Berisha tha se fjalimi i Edi Ramës në Këshillin e Evropës jo vetëm që nuk ndihmoi krerët e UÇK’së që po gjykohen në Hagë, por sipas tij, kjo për ta ishte një thikë pas shpine.

“Si mund ta përkrah unë atë. Ajo ishte një thikë e vërtetë pas shpinës, për Kosovën. Në bindjen time më të thellë, dëmtoi të katër udhëheqësit politikë që ndodhen në Hagë. ty foli jo si një kryeministër i një vend anëtar i Këshillit të Evropës, jo si një kryeministër i një vendi anëtar të NATO’s, por sikur të ishte vëlla sijamez me Gadafin. Duke deformuar realitetet. Ku kishte të drejtë Edi Rama? Ai kishte një të drejtë, cila ishte ajo? Shqipëria u akuzua në raporton e Dick Martyt se në territorin e saj ka patur banesa ku janë bërë ndukje organesh, më keq, shkulje organesh, për trafik organesh. Shqipëria këtë duhej ta hiqte. Shqipëria e hoqi”, tha ai.

Berisha tha se, kryeministri Rama do duhej të lobonte me Ministrinë e Jashtme, pran kryetarëve të delegacioneve që janë njëkohësisht anëtarë të komitetit të Këshillit të Evropës, që kjo të miratojë një rezolutë që të çlirojë Shqipërinë dhe kjo, sipas Berishës, do të ishte ndihma më e madhe që do u jepej përfaqësuesve të UÇK’së që po gjykohen në Hagë.

“Por ky, aty shkoi për t’i bërë gjyqin Këshillit të Evropës. Ç’është ky që mund t’i bëjë gjyqin Këshillit të Evropës. Ky e bëri këtë në një moment kur e gjithë klima në tërësi ishte pro Kosovës. E bëri një moment kur fatmirësisht Rusia është e pezulluar, bashkë me Bjellorusinë. Ky në vend që të ecte në rruge diplomatike, zemëroi ata dhe i bojkotuan darkën grupi më i madh parlamentar i Këshillit të Evropës dhe komiteti presidencial që përbëhet nga kryetarë të grupeve”, u shpreh Berisha.

Berisha thotë se nga ky fjalim, Kosova nuk fitoi asgjë pos fryrje të borive folkloriste.

“Çfarë ndihme pati Kosova, përveç folkloristëve që thanë ‘mirë ia bëri, ia tha e s’ia tha’? A duam ne që Kosova të anëtarësohet në KiE apo duam t’u biem borive folkloriste. Ky është me kompleks. Duke e ditur tradhtinë që i ka bërë dhe i bën ndaj Kosovës, duke e ditur damin kolosal që i bën asaj me “Ballkanin e Hapur”, ky mendon se duke u veshur pa kontrollë, po vesh qyrkun e patriotit. Të besoj që Edi Rama është patriot është njëlloj si të besosh se eskimeztë janë banorë të shkretëtirës”, tha Berisha.

Ndiqeni minutën e 35:00 të emisionit për ta dëgjuar deklaratën e plotë të Berishës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.