Ambasadori i Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq, është munduar ta mashtrojë opinionin amerikan duke pretenduar se videoja e publikuar nga mediumi serb “Istraga”, sipas të cilit shihen serbë të maskuar në veri të Kosovës, të cilët kanë shtënë edhe me armë zjarri, është “inskenim” i shqiptarëve.
Marko Gjuriq, duke luajtur rolin e viktimës, tha se Serbia dhe serbët në Kosovë vetëm kërkojnë që të mos shqetësohen dhe që marrëveshjet e ndërmjetësuara nga BE-ja dhe SHBA-ja të zbatohen plotësisht.
Ai ka akuzuar Qeverinë e Kosovës gjoja për përhapje të propagandës.
Mbrëmë është publikuar një video ku shihen disa persona të maskuar në veri të Kosovës.
Sipas pamjeve të siguruara nga Istraga, vërehet se këta të maskuar shtënë me armë dhe bërtasin duke thënë se janë kthyer, duke aluduar për Kosovën.
“Njerëz të maskuar të armatosur me automatikë janë filmuar sonte në veri të Kosovës. Në sfond dëgjohen të shtëna armësh, ndërsa burra të panjohur bërtasin duke thënë se ‘U kthyem. Kosova është Serbi, Krimea është Rusi’. Për Istraga është konfirmuar se të shtënat e armëve janë dëgjuar pranë vendit të regjistrimit”, thuhet në përshkrimin e videos.