Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari i A2 CNN, Julian Kasapi, në njërin nga këto kampe, Al Hawl, ndodhen edhe 13 shqiptarë. Aty kanë mbetur Eva Dumani, Emanuela Daci me 3 fëmijë, Hajrie Taushani me një djalë të vogël, Myrvete Dibra me një fëmijë, si dhe Elona Shuli me 2 motrat dhe djalin e saj.
Turqia ka zhvilluar disa operacione në rajon, pas atentatit me bomba në Stamboll ku humbën jetën 6 persona dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur. Shteti turk fajëson forcat kurde për mbështetjen e terroristëve, çka ka sjellë edhe një tensionim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Forcat kurde në verilindje të Sirisë kanë deklaruar për BBC se mund të jenë të detyruar të ndërpresin ruajtjen e kampeve ku mbahen militantët e Shtetit Islamik dhe të afërmit e tyre. Forcat Demokratike Siriane thanë se nuk kanë më kapacitete për të ruajtur këto kampe, si pasojë e sulmeve nga ushtria turke.
Forcat Siriane Demokratike (FSD) janë të përbëra kryesisht nga militantë kurdë, të cilët mbështeten me armatime nga Shtetet e Bashkuara. Ata kanë mohuar çdo përfshirje në sulmin e ndodhur në Stamboll dhe madje kanë akuzuar Turqinë se e ka përdorur atë si pretekst për të kryer operacione ushtarake kundër tyre.
Kreu i FSD, Gjenerali Mazloum Abdi, tha për BBC se operacionet ushtarake turke do të ndihmonin në ringritjen e grupit terrorist të ISIS-it. “Kjo do të sjellë një luftë të dytë civile në Siri dhe operacionet tona kundër ISIS-it do të ndërpriteshin”, tha ai. “Ne luftuam dhe mundëm ISIS-in në bashkëpunim me një koalicion ndërkombëtar, ndërsa tani Turqia do të minojë të gjithë përpjekjen”.
Al-Hawl, të cilin A2 CNN e vizitoi në vitin 2019, është kampi më i madh ku mbahen militantët e ISIS dhe familjarët e tyre. Sipas BBC, aty jetojnë mbi 50 mijë njerëz, mbi 60% gra dhe fëmijë. Forcat kurde thanë se Turqia ka kryer sulme edhe në këtë kamp, duke vrarë 7 roje. Gjithashtu, 6 të burgosur u arratisën pas sulmit, por u rikapën më vonë.
Gjenerali Abdi paralajmëroi që, nëse sulmet turke vazhdojnë, kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në mundësinë e forcave të tij për të ruajtur kampin. “Do të jemi të zënë duke mbrojtur njerëzit tanë dhe nuk do të mund të ruajmë kampet”, tha ai. “Autoritetet turke kanë shënjestruar vendqëndrime civilësh, stacione elektrike, apo të prodhimit të naftës. Kjo do të sjellë zhvendosje masive të njerëzve”.
Në maj të këtij viti, Shqipëria dhe Kosova zhvilluan operacionin më të fundit për riatdhesimin e shtetasve të vet. Autoritetet raportuan se 4 gra dhe 9 fëmijë ndërmjet moshës 6 e 16 vjeç nga Shqipëria mbërritën në aeroportin “Adem Jashari” të Prishtinës bashkë me shtetas të tjerë kosovarë që u larguan nga kampet e ferrit. Ata u pritën nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi bashkë me homologun e tij kosovar, Xhelal Sveçla, drejtuesit e policisë së të dy vendeve, Gledis Nano e Samedin Mehmeti, si dhe drejtoresha e Qendrës CVE, Lejdi Dervishi.
Operacioni i riatdhesimit të shtetasve shqiptarë nga ish-zonat e konfliktit në Siri dhe Irak u krye në kuadër të një bashkëpunimi dypalësh Shqipëri-Kosovë dhe me mbështetjen e partnerëve të SHBA-së nëpërmjet edhe koordinimit me selitë e tyre diplomatike në Prishtinë dhe Tiranë.
“Ky është operacioni i katërt që zhvillojmë. Gjithsej, bëhen 43 gra dhe fëmijë që tashmë do të jenë në gjirin e familjeve të tyre. Falënderoj këtu partnerët tanë strategjikë që na mundësuan këtë operacion, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilët organizuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni. Dua të siguroj të gjithë shqiptarët që ne mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe çdo shqiptar që ka mbetur aty, çdo fëmijë dhe çdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra nga tri operacionet e para, të cilat i kemi gjithashtu me partnerë shumë të rëndësishëm të rajonit atje, me partnerët tanë libanezë të koordinimit të shkëlqyer, Gjeneral Major Abbas Ibrahim dhe këshilltarin tonë diplomatik në Liban, Marc Ghorayeb. Me të gjitha këto lista të cilat do t’i përditësojmë akoma më tepër do të bëjmë të mundur të kthejmë çdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”, tha ministri Çuçi në maj./A2/