Lëkundjet e tërmetit që janë ndjerë sot në Shqipëri kanë krijuar panik te qytetarët nisur dhe nga situata e krijuar në Turqi.
Sizmiologu Rrapo Ormeni, u shpreh se këto janë tërmete të zakonshme për Shqipërinë dhe se nuk kanë lidhje me tërmetet që kanë rënë në shtetin turk.
“Janë tërmete të zakonshme që bien në vendin tonë. Nuk kanë lidhje me tërmetet e Turqisë, janë tërmete që bien herë pas herë në vendin tonë. Kjo është një ngjarje e zakonshme. Në afërsi të Elbasanit, ka qenë një termet i cekët i zakonshëm. Unë vetë s’e kam ndjerë. Është tërmet i vogël dhe nuk ka lidhje me Turqinë. As nuk shkaktojnë dëmtime. Janë në zonat aktive të vendit tonë. Janë zona që preken me shpeshtësi nga tërmetet”, u shpreh Ormeni.
Epiqendra e tërmetit 4 ballë ka qenë 23 kilometra në lindje të qytetit të Elbasanit dhe 10 kilometra nga Librazhdi. Raportohet se tërmeti është ndjerë edhe në disa qytete të tjera.