/

Të martën fillon gjykimi ndaj Pjetër Shalës

Nesër (e martë), në orën 9:30 do të filloj gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Ndërsa, për publikun i njëjti do të transmetohet me 45 minuta vonesë.

Në vendimin, me anë të së cilit, trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia ka caktuar 21 shkurtin si datën e fillimit të gjykimit në rastin e Pjetër Shalës është bërë e ditur se Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e viktimave kanë nga dy orë veç e veç në dispozicion për të paraqitur deklaratat hyrëse.

Derisa, mbrojtja e Pjetër Shalës, do të paraqes deklaratën e tyre hyrëse pasi të përfundojnë prokuroria e mbrojtja e viktimave.

“Duke pasur parasysh parimin e publicitetit të procedurave, Paneli i udhëzon palët dhe mbrojtjen e viktimave që t’i paraqesin fjalët e tyre hyrëse në masën më të madhe të mundshme në seancë të hapur dhe të mbështeten në mjetet vizive dhe materialet që mund t’i transmetohen publikut. Aty ku kjo nuk është e mundur, palët dhe mbrojtja e viktimave drejtohen që të grupojnë argumentet që do të bëhen në sesione private dhe/ose të mbyllura së bashku, për të rritur efikasitetin e procedurave dhe për të shmangur lëvizjen e panevojshme ndërmjet seancave të hapura dhe private ose të mbyllura. Udhëzimet e mësipërme nuk paragjykojnë masat mbrojtëse të vendosura për viktimat dhe dëshmitarët dhe të drejtën e palëve dhe mbrojtësit të viktimave për të paraqitur argumentet e tyre të plota”, thuhet në vendim.

Tutje, sipas vendimit, pasi që mbrojtja ka zgjedhur të japë një deklaratë hyrëse direkt pas fjalëve hyrëse të ZPS-së dhe mbrojtjes së viktimave, ajo nuk mund të bëjë asnjë deklaratë hapëse të mëtejshme pas mbylljes së çështjes së ZPS-së dhe para hapjes së çështjes së saj.

Vendimi thotë se kjo nuk e pengon mbrojtjen të bëjë parashtresa në përputhje me rregullat.

Ndërsa, po ashtu është bërë e ditur se ky i fundit ka shprehur dëshirën për të bërë një deklaratë pa betim, në përputhje me Rregullën 142 (1) të Rregullores.

Po ashtu, trupi gjykues ka caktuar një bllok seancash.

Duke marrë parasysh se salla e vetme e gjyqit në dispozicion duhet të ndahet me Panel (et) e tjera të Dhomave të Specializuara, trupi gjykues ka vendosur që paraqitja e provave të fillojë më 27 mars 2023, në orën 09:30.

Trupi gjykues do të fillojë bllokun e parë të provave deri më 31 mars 2023.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.