Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është hapur ekspozita e përbashkët e punimeve artistike të nxënësve të Kosovës dhe Shqipërisë, raporton DTV.
Kjo ekspozitë, e hapur për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, përmban afër 107 punime të nxënësve nga Kosova dhe Shqipëria dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 mars.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se fryma e lirisë shihet qartë në këto punime të nxënesvë shqiptarë e se arti i ka bashkuar ata në këtë ekspozitë.
Ajo tha se ministre e arsimit ka këmbëngulur që bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të intensifikohet sa më shumë.
“Është kënaqësi e veçantë që të jem bashkë me ju në këtë ngjarje të bukur dhe të rëndësishme. Është kënaqësi që sot na ka mbledhur arti nga dy anët e kufirit shqiptar me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë”.
“Ky brez i nxënësve të lindur pas shpalljes së pavarësisë, jeni me fat që po rriteni në liri. Fryma e lirisë shihet qartë në këto punime. Ministria e Arsimit ka qenë dhe so të mbete një krahë i fortë ndaj të rinjve. Është një kënaqësi e veçantë që kjo i solli nxënësit nga të dy vendet. Me dëshirën vëllazërore, së bashku me ministren e arsimit të Shqipërisë, kemi hedhur themelet për një intensitet edhe më të madh për bashkëpunim”, tha ajo.
Ndërsa, Hasan Muqa, drejtor i drejtorisë rajonale të arsimit parauniversitar të qytetit të Lezhës, tha se këta nxënës me punimet e tyre janë duke përçuar mesazhin e vazhdimësisë.
“Gjithçka keni punuar e keni punuar me duar të arta. Me vizatimet e juaj ndjehet aroma e lirisë, me ngjyrat e tyre ndjehet krenari, dhe nga ana tjetër përçoni mesazhin e vazhdimësisë”, tha ai.
Elsa Berisha nxënëse nga Shkolla “Asdreni” në komunën e Pejës tha se punimi saj tregon gëzimin e saj për shpalljen e pavarësisë.
“Në kemi bërë punime për 17 shkurtin, këtu kemi paraqitur ide për te uruar 17 shkurtin. Unë e kamë bërë një punim që tregon gëzimin për shpalljen e pavarësisë edhe kam shprehur dashurinë ndaj Kosovës”, tha ajo
Ndërsa, Rrezarta Gjileshi, nxënëse nga Dibra nga Gjimnazi “Fiqri Dine” tha se punimi i saj kërkon që plisi të jetë pjesë e UNESCO
“E fitova çmimin e parë në konkursin në Dibër për ta përfaqësuar në Prishtinë. Me këtë punim doja që si xhubleta edhe plisi të jenë pjesë e UNESCO. Është hera e parë për mua dhe ndjehem shumë e kënaqur”, tha ajo.