/

Ballafaqimi i djeshëm në Bruksel, Kurti akuzohet se e pranoi Asociacionin dhe humbi njohjen e ndërsjellë

Takimi maratonik dje në Bruksel, përfundoi me deklarimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se ai ishte i gatshëm të nënshkruajë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por pala serbe nuk tregoi gatishmëri për këtë.

Kurti, para mediave, deklaroi se ndonëse pati dakordim, marrëveshja nuk u nënshkrua pasi pala tjetër [Vuçiq], nuk ishte e gatshme.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”, deklaroi Kurti para mediave.

“Edhe unë mendoj se është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqë u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtëij teksit do të duhej të përfundonte me nënshkrim, mirëpo ishte pala serbe që nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, theksoi kryeministri Kurti.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ishte i pari që foli para mediave tha që ai ka insistuar për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, por që sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar.

Përkundër deklaratave të ndryshme të të dy liderëve, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, njoftoi se takimi në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përfunduar me dakordim mes të dy liderëve.

Borrell tha se Kurti dhe Vuçiq u pajtuan lidhur me konceptet që parasheh propozimi evropian, pa kërkuar diskutime të mëtejshme.

Borrell po ashtu shtoi se takimin e djeshëm e sheh si zhvillim të madh nga takimet paraprake, ku kryesisht diskutohej vetëm për menaxhim krizash, shkruan Reporteri.

“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme. Jam i gëzuar të lajmëroj që Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Le të kuptohet se Kurti e Vuçiq e kanë pranuar përfundimisht planin franko-gjerman. Teksti i propozimit do të publikohet shumë shpejt”, ka deklaruar Borrell në një konferencë për media.

“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovs dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një shuttle-diplomaci intesive. Lajçak ka udhëtuar rregullisht, ka qenë 10 herë në Prishtië dhe 8 herë në Beograd”, ka thënë ai.

I njëjti konfirmoi se takimi trilateral i radhës pritet të zhvillohet më 18 mars, në Shkup të Maqedonisë së Veriut.

Pas përfundimit të takimit shkurt ka folur edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ai tha që jemi larg dhe se ende ka punë deri në arritjen e marrëveshjes mes dy palëve.

Escobar po ashtu deklaroi para gazetarëve në Bruksel që ditën e sotme do të shpalosen detaje më të hollësishme rreth takimit të sotëm dhe konkluzioneve të arritura nga palët.

“Ende ka shumë punë për të bërë. Do të deklarohem më thellësisht nesër. Por, tani për tani, krejt çka mund të them është se kemi ende shumë punë për të bërë”, deklaroi Escobar dje.

Sipas propozimit, palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Po ashtu të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Sipas pikës 3, të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe mosdiskriminimi.

Tutje theksohet se në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Reagime të shumta pati nga ana e opozitës. Ata akuzuan kryeministrin Kurti se në Bruksel pranoi Asociacionin e dështoi në arritjen e njohjes reciproke.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se tashmë dihet se propozimi evropian nuk e parasheh njohjen e ndërsjellë, njohjen nga pesë shtetet skeptike të BE-së, e as s’ia hap Kosovës rrugët për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike.

Sipas liderit opozitar, tani në qendër është themelimi i Asociacionit, akt ky që, sipas tij, Kurti e bëri shkaku i ambicieve të tij për pushtet.

“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, reagoi Krasniqi në Facebook.

Ndërkaq, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se me pranimin e propozimit evropian nga kryeministri Kurti, u vërtetuan edhe brengat e LDK-së.

Abdixhiku tha se propozimi evropian nuk është final, si dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë, gjë që tha se ishte qëllimi i vetëm i Serbisë.

“Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, shkroi lideri opozitar në Facebook.

Sipas Abdixhikut, dialogu tanimë ka marrë një kahje tjetër, dhe që do të vazhdojë edhe për disa vite të ardhshme.

Në anën tjetër lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka ofruar përkrahje kryeministrit Kurti.

Haradinaj tha se dakordimi në Bruksel, për propozimin e BE-së, është arritje e madhe. Marrëveshja, sipas tij, është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe. Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”, reagoi Haradinaj në Facebook.

Lideri i AAK-së i konsideroi me rëndësi të madhe edhe hapat e mëtejmë, dhe takimet që do të zhvillohen për zbatimin e propozimit.

“Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do te gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.