Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe është thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas propozimit të BE-së, të cilin u tha se ShBA-ja e mbështet fuqishëm.
Uashingtoni tha gjithashtu se dëshiron një finalizim të shpejtë të “njohjes reciproke midis Prishtinës dhe Beogradit”, duke vënë në dukje se nuk është e mundur të përcaktohet një kornizë kohore specifike për këtë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një fjalim në emër të Sekretarit të Shtetit, Anthony Blinken, njoftoi se Uashingtoni dëshiron që “propozimi i BE-së – Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” të rezultojë përfundimisht në “njohje reciproke”.
Raundi i ardhshëm i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është planifikuar për më 18 mars në Ohër, Maqedonia e Veriut.
Sipas “Pavlovic Today”, pala serbe ka paralajmëruar se pika e parë e rendit të ditës duhet të jetë zbatimi i Asociacionit, ku sipas tyre, “dispozitat e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013, duhet të përmbushen”.
I pyetur nga “Pavlovic Today” se me çfarë radhe do të zgjidhet zbatimi i Asociacionit, Price ka theksuar se është thelbësore për normalizimin, sipas propozimit të BE-së.
Ai tha se Uashingtoni beson se dialogu duhet të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, e cila do të hapë derën për integrimin evropian dhe që është thelbësore për siguri më të madhe, stabilitet dhe prosperitet të Ballkanit Perëndimor.
Ai ritheksoi mbështetjen e SHBA-së për përparimin e dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke theksuar se edhe pse negociatat e Brukselit të mbajtura në fund të shkurtit paraqesin një hap pozitiv përpara”, ende “mbetet punë e vështirë”.
“Ne besojmë se normalizimi i marrëdhënieve duhet të përqendrohet në njohjen eventuale reciproke”, tha Price.
Ai përsëriti se është “një proces i udhëhequr nga BE-ja” dhe se SHBA-të e mbështesin atë “në çdo mënyrë të mundshme”, si dhe se Uashingtoni është i pranishëm në këto bisedime, kryesisht përmes Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit Gabriel Escobar.
Price njoftoi se administrata e presidentit amerikan Joseph Biden dëshiron që çështjet e diskutueshme dhe tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit “të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur”, por se ata nuk mund të vendosin një kornizë kohore specifike.