/

Amnistimi i fashizmit “biopolitik” në Serbi, nëpërmjet “demokratit” Gjingjiq

U tha shumëçka nga analistë dhe opinionistë për elozhet e fundit që kryeministri i Kosovës thuri për vrasjen e heroit të tij të fundit demokrat para dy dekadave, ish-kryeminstrin serb, Zoran Gjingjiq. Se si edhe ky postim është në vazhdën e tij të manipulimeve me opinionin publik. Dhe po ashtu politika serbe qoftë ajo në pushtet apo në opozitë nuk dallonte për Kosovën.

Mirëpo, në këtë rast më bëri përshtypje heshtja e liderëve të partive opozitare për këtë temë. Për dallim nga hera e parë kur ai e kishte glorfikuar Oliver Ivanovicin, ata patën reaguar. Kurse tani me sa lexova ishte vetëm një reagim i Daut Haradinajt, por që nuk thoshte asgjë konkrete. Është e drejta e tyre të heshtin. Nuk mund t’i detyrojmë të flasin patjetër në çdo reagim të Albin Kurtit. Mund të jetë edhe strategji e tyre kjo heshtje.

Ndonëse do të kisha dashur që dikush prej tyre ta kritikonte këtë qëndrim të kryeministrit edhe në një dimension tjetër. E që thuajse mungoi në të gjitha reagimet që u bënë për këtë temë. Manipulimin e tij me teori dhe shkolla filozofike. Dhe ta demonstronin se pse kryeministri vetëm e keqpërdor këtë disiplinë, e nuk është ai person që filozofon, siç edhe shpeshherë e akuzon opozita.

Kurse, si shembull eklatant të këtij shpërdorimi qe përpjekja e Albin Kurtit për të treguar, se si ish-kryeministri serb me “një formim intelektual dhe filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas-it”

Në këtë kontekst, një lëvizje e tij politike mund të merret përqafimi që i bëri edhe më shumë mendësisë fashiste-nacionaliste gjatë viteve ’90. Ai kërkonte me anë të referendumit restaurimin e monarkisë së Karagjorgjeve. Kurse, thellimi i mendimit të tij “kritik” dhe “opozitar” ndaj regjimit të Miloshevicit, spikati më se shumti në platformën e tij për Kosovën, ku propozonte mbajtjen e saj nën dominimin serb, si dhe instalimin e politikave qeveritare kundër natalitetit të popullsisë shqiptare, për ta limituar forcën tonë vitaliste, si mjet i fundit për ta zgjidhur një herë e përgjithmonë çështjen shqiptare në këtë hapësirë.

Prandaj, shtrohet pyetja ku e gjen kryeministri Kurti ndikimin e Shkollës filozofike të Frankfurtit në këto lëvizje dhe ekzibicione politike të Gjingjiq-it? Dhe veçanërisht formimin intelektual të “opozitarit” të Miloshevicit, në teorinë e veprimit komunikativ të Habermasit? Pos në maninë e tij për t’u krekosur para fanatikëve të tij si një njohës i teorive, rrymave dhe shkollave filozofike. Por që fatkeqësisht kjo mani po prodhon edhe pasoja politike, morale dhe historike për shtetin e Kosovës.

Sepse nëse ka diçka nga e cila ishte i ndikuar Gjigjiqi ishte pikërisht doktrina mitologjike raciste dhe modelet ekstreme “bio-politike” për ta siguruar, në këtë rast, dominimin e përjetshëm të kombit serb mbi Kosovën, nëpërmjet eliminimit gradual biologjik të shqiptarëve. Prandaj, me këtë propozim ai nuk dallonte asgjë nga doktrina raciste e Hitlerit, si eksponenti më i njohur i kësaj politike.

E siç dihet, Shkolla e Frankfurtit, kishte marrë hov veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, (sepse ajo ka edhe aspekte të tjera, sikur se kritika ndaj formave moderne të shtypjes dhe tjetërsimit se njeriut e të cilat nuk mund t’i analizojmë të gjitha këtu), pikërisht për t’i denoncuar tmerret e asaj ngjarje makabre historike që u prodhuan nga ajo mendësi, e të cilën gjatë viteve ‘90 e Gjingjiq-i ringjalli si projekt të tij politik.

Mbase ky është edhe njëri nga problemet më të mëdha që sot na ka kapluar si shoqëri. Sepse kemi një kryeministër që i shpërdoron këto tema dhe një opozitë që nuk e ka haberin as çka është Shkolla e Frankfurtit apo teoritë e Haberamesit, ngase këto të fundit dalin jashtë interesimit të tyre financiar, klanor, sektar dhe politik.

Prandaj, edhe kemi ardhur në këtë situatë, ku në njërin anë Gjykata Speciale e heton luftën e UCK-së, kurse kryeministri i Kosovës duke dashur t’i zbulojë potencialet teorike, filozofike dhe demokratike në shoqërinë serbe, nëpërmjet Zoran Gingjiqit, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme e amniston pikërisht doktrinën e tij fashiste “biopolitike” kundër shqiptarëve të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.