/

Arrestohet një person në veri të Mitrovicës, kreu vjedhje në disa lokale

Një person është arrestuar sot në veri të Mitrovicës. I njëjti është zënë në flagrancë duke kryer vjedhje në dy lokale.

Lajmin për DTV e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.

“Sot është arrestuar një person nën dyshimin e bazuar se ka kryer dy raste të vjedhjes së rëndë dhe dy tentim vjedhje në dy lokale”, ka thënë Kelani.

Ndërkaq Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se personi i arrestuar është zënë në flagrancë duke vjedhur.

“Me datën 3 prill 2023 rreth orës 05:30, në Mitrovicën e Veriut, pas informacioneve se një person është duke kryer vjedhje në flagrancë, njësitë policore janë nisur në drejtim të këtij lokacioni, me ç’rast kanë arrestuar të dyshuarin me iniciale N. SH. i mitur m/kosovar, i cili përveç se është hasur duke kryer vjedhje në flagrancë dyshohet se edhe në disa lokale të tjera ka kryer vjedhje në tentativë. Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë Njësia e Hetimeve dhe Forenzikës të cilët sipas procedurave kanë bërë shikimin e vendngjarjes”, thuhet në komunikatë.

Gjatë kontrollit të personit të dyshuar në posedim i janë gjetur dhe konfiskuar një sasi prej 8.37 gram që dyshohet të jetë lëndë narkotike- marihuanë.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori kompetent, i cili ka udhëzuar që të iniciohen rastet ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje në tentativë’, ndërsa personi i dyshuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 24 orë”, njofton policia.

Policia e Kosovës shpreh falënderimin ndaj të gjithë qytetarëve të cilët duke bashkëpunuar me Policinë ndihmojnë në kryerjen e detyrave dhe arritjen e objektivave për garantim të sigurisë dhe ruajtjes së rendit për të gjithë qytetarët dhe njëherit inkurajojnë qytetarët në bashkëpunim të mëtejmë dhe raportim të rasteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.