Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, së bashku me një delegacion shoqërues, do të qëndrojnë në Kosovë nga data 13 prill deri më 15 prill.
Përmes një komunikate për media, është bërë e ditur se Policia e Kosovës për ofrimin e sigurisë do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut, në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
“Nga data 13 prill deri më 15 prill 2023, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, z. Dritan Abazoviç, së bashku me një delegacion shoqërues. Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në vendin tonë. Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore”, thuhet në komunikatë.
Njëherit, kanë njoftuar se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës ka kërkuar mirëkuptim të plotë nga qytetarët dhe pjesëmarrësit në trafik.