/

I vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi pejanit që dyshohet se vrau nënën e tij

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj, ndaj të dyshuarit U.H, për vrasjen që ndodhi para katër javësh.

Lajmin për DTV e ka bërë të ditur zëdhënësja e kësaj gjykate Tringa Zhuti.

“Po, i është vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj”, ka thënë shkurt Zhuti.

Gjykata i kishte caktuar fillimisht 30 ditë paraburgim pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë.

Gjykata kishte njoftuar më 15 prill të këtij viti,  se të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, pasi konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pasur parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Më 14 prill, U.H dyshohet se në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë ka vrarë nënën e tij. Pas rastit tragjik, prokurorja Sahide Gashi ka thënë se kanë siguruar dëshmitarë okularë dhe se i dyshuari nuk mund të fliste.

Vrasja e 58-vjeçares kishte tronditur vendin dhe kishte nxitur reagime të shumta. E nga shoqëria civile kanë kërkuar që të bëhet më shumë për mbrojtjen e grave.

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.