//

Europoli arreston 37 persona të një grupi kriminal nga Ballkani

Një operacion policor ndërkombëtar, i koordinuar nga Europol-i, ka rezultuar me arrestimin e 37 personave si pjesë e një celule kriminale “shumë të rrezikshme” nga Ballkani Perëndimor.

Sipas Europol-it, celula ka qenë e drejtuar nga një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, dhe ka qqenë e përfshirë kryesisht në trafikun në shkallë të gjerë të drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Evropën.

“37 të dyshuar u arrestuan gjatë fazës së hetimit, përfshirë liderin kryesor të bandës – një shtetas i Bosnjë dhe Hercegovinës që konsiderohet një objektiv me vlerë të lartë nga Europol-i dhe i cili aktualisht po vuan dënimin me katër vjet burgim në Itali. Nga këta 37 të dyshuar, 15 janë arrestuar si rezultat i ditës së aksionit të kësaj jave”, tha Europol-i në një komunikatë të enjten, raporton DTV.

Sipas njoftimit, më 24 maj, një sërë bastisjesh u kryen njëkohësisht në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani kundër anëtarëve të kësaj bande. Këto veprime u koordinuan nga një post komandë në Zagreb të Kroacisë, me mbështetjen e oficerëve të Europol-it të vendosur në terren.

Hetuesit thuhet se ishin në gjendje të zbulonin se si lideri i bandës vazhdoi të orkestronte aktivitetet kriminale të bandës së tij nga qelia e burgut. “Prej aty, ai besohet se ka dhënë rregullisht urdhra dhe udhëzime për vartësit e tij për çështje që lidhen me trafikun e drogës dhe armëve të zjarrit”, ka thënë Europol-i.

Objektet dhe hapësirat e kontrolluara gjatë ditës së aksionit përfshijnë një qeli burgu në Belgjikë, një garazh në Holandë që përdorej për të ruajtur kokainën dhe disa ambiente në Kroaci, Gjermani, Slloveni dhe Bosnjë dhe Hercegovinë ku mbaheshin drogë, armë zjarri dhe eksplozivë.

Rezultatet e hetimit penal (arrestimet dhe sekuestrimet):

  • 37 arrestime
  • 148 000 euro kesh
  • 18 armë zjarri, duke përfshirë 2 mitralozë dhe 2 512 copë municione
  • 500 gram TNT me detonatorë në distancë
  • Mbi 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, 3 kilogramë amfetaminë, 7 kilogramë marihuanë dhe 10 kilogramë hashash
  • Uniforma të forcave të rendit
  • Dokumente të rreme të identifikimit

Në këtë aksion të përfshira ishin Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Holanda, Sllovenia dhe SHBA-ja, nën koordinimin e Europol-it.

Ky aksion ndërkombëtar vjen pas një hetimi kompleks të udhëhequr nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Kroate në kuadër të Task Forcës Operacionale “Karteli Ballkanik”.

 

 

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.