Gazeta raportoi sot se Prokuroria e Çarkut në qytetin Celje të Sllovenisë i ka kërkuar ndihmë juridike Ministrisë Drejtësisë në Kosovë lidhur me një rast ku është i përfshirë një kosovar, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprat penale “Dhunimi” dhe “Dhuna në familje”. Pas kërkesës nga autoritetet sllovene, Policia e Kosovës ka arritur ta arrestojë personin e dyshuar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Lirim Kryeziun, 27-vjeçar, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila e ka denoncuar edhe për dhunim.
Këto dy vepra, i dyshuari i ka kryer vitin e kaluar, për çka autoritetet në Slloveni kanë ngritur kallëzim penal. Por pas raportimit të rastit, i dyshuari kishte vendosur që të ikë nga shteti slloven, me shpresën se mund të “fshihet” në Kosovë.
Në bazë të informacioneve të para, pasi Prokuroria atje është vënë në dijeni që i dyshuari ndodhet në Kosovë, i kanë dërguar kërkesë Ministrisë së Drejtësisë për ndihmë juridike lidhur me këtë rast.
Me t’u pranuar kërkesa, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arritur ta kap të dyshuarin, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren edhe veprimet e tjera ndaj tij.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, teksa nga Ministria e Drejtësisë kanë deklaruar se i kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme, duke mos dhënë detaje tjera.
“DHUNË NË FAMILJE/DHUNIM- Slloveni 02.05.2022 – 07:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që sipas kallëzimit penal të pranuar nga autoritetet Sllovene, ai ka dhunuar dhe ka shkaktuar dhunë ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.