Ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trumpit, i është thënë se ndaj tij është duke u zhvilluar një hetim penal lidhur me disa dosje të klasifikuara që ai kishte në posedim edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhe, raportojnë media amerikane.
Vendimi i prokurorëve federalë për ta njoftuar ish-presidentin amerikan se po zhvillohen hetime penale sugjeron se ai së shpejti mund të përballet me akuza lidhur me këtë rast.
Nëse ngrihen këto akuza, do të ishte aktakuza e dytë për Trumpin, i cili aktualisht po bën fushatë për t’u bërë president i SHBA-së edhe një herë.
Prokurorët kanë qenë duke e hetuar transferimin e dosjeve konfidenciale në pronën e Trumpit në Mar-a-Lago të Floridës që nga viti i kaluar, shkruan DTV.
Kjo pronë ishte kontrolluar në gusht të vitit të kaluar, kur ishin sekuestruar 11.000 dokumente, përfshirë rreth 100 të etiketuara si dokumente të klasifikuara. Disa prej tyre cilësoheshin top sekret.
Në një intervistë të dhënë më 7 qershor, Trump mohoi të i ishte thënë se ai përballet me një aktakuzë për këto dokumente.
Kur u pyet nga New York Times nëse i ishte thënë se ndaj tij po zhvillohej një hetim federal, Trump tha se “duhet ta kuptoni” se ai nuk ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me prokurorët.
CNN, ABC News dhe Politico të gjitha raportuan mbrëmjen e 7 qershorit se Trump ishte njoftuar se ndaj tij po zhvillohej një hetim penal.
Këto media thanë se ky veprim i prokurorëve sinjalizon se akuzat mund të ngrihen së shpejti, por se është gjithashtu e mundur që një personit, të cilit i është thënë se është nën hetime, të mos i ngrihet aktakuzë.
New York Times citoi dy njerëz të njohur me këtë çështje të kenë thënë se njoftimi erdhi nga zyra e Jack Smith, i cili më parë shërbente si prokuror i specializuar në Gjykatën Speciale të Hagës.
Partneri amerikan i BBC-së, CBS News, tha se një burim i afërt me Trumpin i kishte konfirmuar se ndaj ish-presidentit amerikan po zhvilloheshin hetime penale, por nuk e kishte konfirmuar nëse ai kishte marrë njoftim zyrtar për këtë gjë.
Ky lajm vjen pasi prokurorët gjetën një regjistrim audio të Trumpit, në të cilin ai pranonte se ka mbajtur një dokument të klasifikuar edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Detajet e dokumenteve që mund të kenë qenë në posedim të Trumpit mbeten të paqarta. Dokumentet e klasifikuara zakonisht përmbajnë informacione që zyrtarët mendojnë se mund të dëmtojnë sigurinë kombëtare nëse bëhen publike.
Është kundër ligjit të SHBA-së që zyrtarët federalë, përfshirë presidentët, të transferojnë ose mbajnë dokumente të klasifikuara në një vend të paautorizuar.
Në fillim të kësaj jave, anëtarët e ekipit ligjor të Trumpit u takuan me hetuesit në Departamentin e Drejtësisë në Uashington.
Trump, i cili kryeson në sondazhet për të qenë kandidati i Partisë Republikane për president të SHBA-së në zgjedhjet e vitit 2024, ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe e ka cilësuar hetimin e departamentit të drejtësisë si “të motivuar politikisht” dhe një “gjueti shtrigash”.
Çdo aktakuzë lidhur me dokumentet e klasifikuara do të vinte pasi Trump u bë ish-presidenti i parë që u akuzua për krim në SHBA, pasi ai u deklarua i pafajshëm për 34 akuza për falsifikimin e të dhënave biznesore për një pagesë për ta blerë heshtjen e një ylli të pornografisë.
Gjyqi ndaj tij për këtë rast do të zhvillohet në Nju Jork vitin e ardhshëm.
DTV