Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në 24 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, ka thënë se falë luftës së UÇK-së dhe ndihmës së NATO-s, Serbia kapitulloi në Kosovë më 9 qershor 1999.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shpehur se kyepilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmi se miqësia me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori.
“24 vite më parë, me 9 qershor 1999, Millosheviçi dhe Serbia u dorëzuan para luftës çlirimtare të UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s, duke u detyruar që të nënshkruajnë marrëveshjen e Kumanovës – për tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Ky epilog i luftës për çlirimin e Kosovës, është dëshmia më e madhe dhe shembulli më konkret, se aleanca dhe miqësia jonë, si popull dhe si shtet, me aleatët tanë ndërkombëtarë, posaçërisht SHBA-në, është ndërtuar mbi gjak e histori”, ka shkruar ai.
Kreu i PDK-së ka shprehur mirënjohje për aleatët ndërkombëtarë, duke thënë se së bashku do të angazhohen në përmbushjen e synimeve tjera për Kosovën.
“Ky bashkëpunim, me UÇK-në nëpër tokë dhe NATO-n nëpër ajër, i dha fund një regjimi gjenocidal serb në Kosovë dhe jetësoi ëndrrën e dhjetëra brezave për liri. Bashkë, si miq dhe aleatë, do të angazhohemi në përmbushjen e të tjera synimeve dhe ëndrrave për vendin tonë – siç është anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB. Përjetësisht mirënjohës”, ka shkruar ai.
DTV