Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është akuzuar për trajtimin e dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë.
Trumpi, 76-vjeçar, përballet me shtatë akuza, duke përfshirë mbajtjen e paautorizuar të dosjeve të klasifikuara, raporton BBC duke iu referuar mediave amerikane, transmeton DTV.
Akuzat nuk janë ende publike.
Kjo është aktakuza e dytë e Trumpit dhe padia e parë federale e një ish-presidenti.
Ai po bën fushatë për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Ekspertët ligjorë thonë se aktakuza nuk do të kufizojë aftësinë e Trumpit për të kandiduar sërish për postin e presidentit.
Në një postim në Truth Social të enjten, Trumpi tha se është i pafajshëm dhe ishte thirrur të paraqitej në një gjykatë federale në Miami të Floridës të martën pasdite, ku do të arrestohet dhe do të dëgjojë akuzat kundër tij.
“Asnjëherë nuk e kam menduar se ishte e mundur që një gjë e tillë t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara”, ka shkruar ai.
Ai shtoi: “Kjo është me të vërtetë një ditë e zezë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne jemi një vend në rënie serioze dhe të shpejtë, por së bashku do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe!”
Avokati i Trumpit, Jim Trusty, tha për CNN se ish-presidenti kishte marrë detaje të akuzave në një dokument thirrjeje.
Ai shtoi se ato përfshijnë konspiracion, deklarata të rreme, pengim të drejtësisë dhe mbajtje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara sipas ligjit të spiunazhit.
DTV