/

ShBA dhe Koreja e Veriut ende pa komunikim për ushtarin që kaloi kufirin

Zyrtarët amerikanë në Uashington kanë deklaruar se Koreja e Veriut nuk i është përgjigjur përpjekjeve të tyre për të nisur diskutime në lidhje me ushtarin amerikan kaloi kufirin e fortifikuar mes dy Koreve.

Kjo mungesë reagimi thekson pasigurinë që rrethon shanset e ushtarit për t’u liruar menjëherë, veçanërisht gjatë një periudhe tensionesh të rritura dhe kanaleve të kufizuara të komunikimit midis dy vendeve.

Të martën, ushtari Travis King, i cili kishte përfunduar një dënim me burg në Korenë e Jugut për shkak të një sulmi, kaloi në Korenë e Veriut teksa ishte në një turne civil në fshatin kufitar të Panmunjom.

Ai është amerikani i parë që mbahet në Korenë e Veriut në pothuajse pesë vjet.

“Dje Pentagoni kontaktoi me homologët e Ushtrisë Popullore të Koresë së Veriut. Kuptimi im është se nga ato komunikime nuk kanë marrë ende përgjigje”, u tha gazetarëve të mërkurën në Uashington, Mattheë Miller, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

SHBA dhe Koreja e Veriut, dy shtete kundërshtare gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-1953, mbeten teknikisht në një gjendje lufte që kur konflikti përfundoi me një armëpushim, jo me një traktat paqeje.

Vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike.

Në të kaluarën, Suedia ka ofruar shërbime konsullore për amerikanët në raste të ngjashme, por stafi i tyre diplomatik thuhet se nuk është kthyer në Korenë e Veriut pasi vendi urdhëroi të huajt të largoheshin në fillimin e pandemisë COVID-19.

Departamenti i Shtetit ka qenë në kontakt me zyrtarë nga Koreja e Jugut dhe Suedia në lidhje me situatën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Jugut, Jeon Ha-kyu, përmendi të enjten se ata po ndajnë informacione me Komandën e OKB-së të udhëhequr nga Amerika në Korenë e Jugut, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Aktualisht, nuk ka dialog aktiv të njohur midis Koresë së Veriut dhe SHBA-së apo Koresë së Jugut.

Motivi se pse Travis King kaloi kufirin pa leje, mbetet i panjohur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.