Katër raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve të fundit në Policinë e Kosovës.
Në Podujevë është arrestuar një person pasi i shkaktoi lëndime trupore një gruaje. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
“Podujevë 20.07.2023-04:40 Lëndime trupore ka pësuar viktima femër kosovare pasi e njëjta është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktimës i është ofruar tretmani mjekësor, ndërsa personi i dyshuar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe në Lipjan është arrestuar një person pasi dyshohet se e ka fyer dhe e ka sulmuar fizikisht një grua. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
“Lipjan, 20.07.2023-00:01. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti e ka fyer dhe sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima për shkak të lëndimeve ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me prokurorin i njëjti është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.
Në një rast tjetër në Lipjan, një person ka njoftuar policinë se ka pranuar mesazhe kërcënuese nga një grua. E dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
“Lipjan 19.07.2023 – 16:20. Ankuesi mashkull kosovar raporton se ka pranuar mesazhe me përmbajtje kërcënuese nga e dyshuara femër kosovare. Lidhur me rastin pas intervistimit me vendim të prokurorit e dyshuara lirohet në procedurë të rregullt. Rasti nën hetime”, thuhet më tutje në raport.
Ndërsa në Prizren është arrestuar një person për sjellje agresive ndaj personave në familje. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Prizren 20.07.2023-00:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi i njëjti kishte pasur sjellje agresive ndaj disa personave si dhe kishte thyer dhe demoluar orenditë shtëpiake. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti nën hetime”, thuhet ndër të tjera në raportin e policisë.
DTV