/

Kosovarët reduktojnë pushimet sivjet, shkak rritja e lartë e çmimeve në bregdetin shqiptar

“Është viti i pestë që unë nuk mund të shkoj në pushime me familjen time, për shkak se nuk arrijmë t’i tubojmë paratë”, thotë Florim Beqiri, shitës i librave në një kioskë në Prishtinë.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se çmimet e larta të produkteve të konsumit të përditshëm dhe të shërbimeve të tjera, përballë nivelit të pagave në vend, ua pamundësojnë rreth 57 për qind të familjeve në Kosovë përballimin e një pushimi njëjavor, qoftë në det apo diku tjetër.

Shifra bazohet në rezultatet e anketës mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës në vitin 2021.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skenderi, vlerëson se shifra mund të jetë edhe më e lartë sivjet, marrë parasysh rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve të konsumit.

Përfaqësues të bizneseve, të cilat bëjnë oferta për pushime jashtë Kosovës, thonë se çmimi i tyre është rritur për së paku 15 për qind më shumë se një vit më parë.

Florim Beqiri thotë se ai dhe bashkëshortja e tij janë të punësuar, por se nuk arrijnë të ndajnë të holla për të siguruar një pushim të shkurtër në det.

“Çmimet, posaçërisht të ushqimit, janë shtrenjtuar në masë shumë të madhe, por edhe banimi është shtrenjtuar. Për sivjet e kemi ‘fshirë’ detin”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mërgim Bekteshi punon në sektorin publik, ashtu sikurse edhe bashkëshortja e tij. Ai thotë se vitin e kaluar nuk kanë mundur të bëjnë pushime, ndërsa, sivjet, planifikojnë të shkojnë në bregdetin e Shqipërisë, por për kohë të shkurtër.

“Në mungesë të mjeteve ndoshta do të jetë për kohë më të reduktuar. Një ose dy ditë, jo më shumë. Kjo është e tëra. Jeta është bërë shumë e shtrenjtë. Këto çmime janë të papërballueshme me paga nga sektori publik. Kjo është arsyeja”, thotë Bekteshi.

Destinacione më të shpeshta pushimesh për qytetarët e Kosovës janë bregdeti i Shqipërisë dhe ai i Malit të Zi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga mesatare bruto në vend, për dhjetë vjet, është rritur 138 euro. Nga 383 euro sa ka qenë në vitin 2012, ajo është bërë 521 euro në vitin 2022.

Vitin e kaluar, ndërkaq, Kosova e ka përmbyllur me normë mesatare të inflacionit gati 12 për qind.

Profesori i ekonomisë, Nagip Skenderi, thotë se kjo normë përfshin gjithë nivelin e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve në treg.

Në këtë kontekst, sipas tij, realitetet ekonomike ndryshojnë kur bëhet fjalë për produktet bazike apo ato që përbëjnë shportën familjare.

“Për shembull, prej vitit 2022 deri në vitin 2023, në disa produkte kemi ngritje të çmimeve për 60 deri në 70 për qind. Prandaj, realitetet ekonomike me ato statistikore tash ndryshojnë . Qytetarët orientohen që t’i plotësojnë elementet bazike, t’i paguajnë qiratë, t’i paguajnë kreditë hipotekare, mandej t’i paguajnë shërbimet komunale. Në këtë kontekst, pushimi mbetet në dorë të dytë ose si një nga objektivat e dyta”, thotë Skenderi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.