Morën me qira nga Zvicra “Brabus”-in për ta shitur në Shqipëri, arrestohet 53-vjeçari në Tiranë dhe vihen nën hetim bashkëpunëtorët

Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi në bashkëpunim me tre persona të tjerë ka trafikuar në Shqipëri një automjet tip “Benz-Brabus”, të cilin e kishte marrë me qira në Zvicër.

Burime zyrtare nga policia bënë me dije se pas hekurave përfundoi Kujtim Çelaj. Ndërkohë, janë proceduar penalisht D. Ll., 35 vjeç, banues në Mamurras, dhe A. K., 40 vjeç, banues në Laç. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi H. B., 25 vjeç, banues në Rumani.

“Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale automjeti i dyshuar. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin trafikuar në vendin tonë, një automjet të marrë me qira në Zvicër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Brabus”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi K. Ç. (C)., 53 vjeç, banues në Laç, si dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit D. Ll., 35 vjeç, banues në Mamurras, dhe A. K., 40 vjeç, banues në Laç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi H. B., 25 vjeç, banues në Rumani. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi H. B., ka marrë me qira një automjet tip “Benz”, në Zvicër, të cilin më pas në bashkëpunim me shtetasin K. Ç. (C)., e kanë trafikuar në Shqipëri.

Të katër shtetasit më pas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr automjetit, pajisjen GPS, me qëllim shitjen e tij. Shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar në Mamurras, së bashku me shtetasit A. K., dhe D. Ll., të cilët gjatë ndërhyrjes, kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Vijon puna për kapjen e shtetasit H. B., si dhe të personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”, njofton policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published.