Policia e Lezhës ka reaguar në lidhje me plagosjen me armë zjarri të ndodhur në një lokal në vendin e quajtur “Rana e Hedhun”, ku mbrëmjen e kësaj të enjte mbetën të plagosur shtetasit Albert Gjinaj, 28 vjeç, banues ne Tiranë dhe Gentian Nikolli, 30 vjeç banues në Thumanë.
Përmes një komunikate për media uniformat blu bëjnë me dije se dy të rinjtë janë plagosur me armë pas një konflikti të çastit me tre persona në lokal. Ata janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor jashtë rrezikut për jetën.
Sakaq janë identifikuar dhe shpallur në kërkim tre autorët, të cilët janë shtetasit Kristian Curri, Bledar Curri dhe Frajd Curri.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
“Rreth orës 22:00, në Shëngjin, në një lokal në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, janë plagosur me armë zjarri lehtë në këmbë shtetasit A.Gj, 28 vjeç banues në Tiranë dhe G.N. 30 vjeç, banues në Thumanë, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe si rezultat i veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve, konkretisht shtetasit B. C., F. C. dhe K. C., dhe vijon kontrolli i zonës për kapjen e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.