Polaku i aferës së rezervave shtetërore që ia zhvati Kosovës afër 600 mijë euro, në vitin 2021 ka hapur biznes edhe në Kosovë

Personi që mashtroi një shtet, duke ia zhvatur afër 600 mijë euro sipas Prokurorisë, ka hapur degën e biznesit të tij edhe në Kosovë.

Tomasz Tokarski në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve hapi degën e kompanisë fiktive XANTO me emrin XANTO KOS L.L.C në vitin 2021.

Tokarski, që në Poloni njihet si mashtrues, është aksionar 100 për qind dhe po ashtu drejtor i kompanisë.

Ai ka deklaruar kapital në vlerë 1 mijë euro, ndërsa aktivitet primar ka ndërmjetësimin për shitjen e lëndëve të para bujqësore, kafshëve të gjalla, lëndëve të para tekstile dhe mallrave gjysmë të gatshme.

Për aktivitet sekondar Tokarski e ka edhe kultivimin e bimëve të tjera shumëvjeçare, që përkon me biznesin e tij në Poloni që mediat kanë raportuar se ka mashtruar shumë qytetarë polakë.

Tokarski në Poloni njihet si person që ka mashtruar shumë njerëz duke i nxitur të investojnë në një produkt që pretendon se shëron kancerin, për t’iu kthyer investimi dyfish, por që kjo nuk ka ndodhur.

Mahmut Halimi, avokati i njërit nga të dyshuarit për dallavere me rezerva, Ridvan Muharremi, ka treguar se Tokarski ka qenë në Kosovë, por që organet e shtetit nuk janë marrë fare me të, përkundër që ishin njoftuar.

Një detaj që ka treguar avokati Halimi është se Tokarski ishte arsyetuar se ka vajzën e tij me kancer dhe kjo është arsyeja që nuk e ka kryer furnizimin me 120 mijë kilogramë sheqer dhe 200 mijë litra vaj përkundër që pagesat ishin kryer.

Më vonë, sipas avokatit, Tokarski ishte arsyetuar se nuk po arrin ta sjell mallin në Kosovë për shkak të bllokimit të mallrave që të kalojnë nga Serbia. Dhe pas një kohe, pronari i kompanisë XANTO nuk është lajmëruar fare.

Meqë nga ministrja nuk po flasin për media, mbetet krejtësisht e pakuptueshme përse qeveria nuk kishte treguar interes të takohet me mashtruesin Tokarski, i cili ua kishte marrë parët dhe s’ua sillte mallin.

Avokati Halimi ka implikuar edhe një person në ndërmjetësimin e rezervave, i quajtur Nezir Idrizi, që sipas avokatit Halimi, është aksionar në biznesin e Tokarskit në Kosovë, por që në ARBK nuk rezulton që ka aksione.

Tokarski në Poloni ka mashtruar shumë qytetarë duke pretenduar se ka zbuluar një medikament që shëron kancerin dhe nëse investohet në të vlera e investimit dyfishohet shumë shpejt. Sipas mediave në Poloni, vlera që Tokarski i ka mashtruar njerëzit është afër 1 milion euro.

Shteti i Kosovës nuk ka kryer asnjë verifikim për pronarin e kompanisë XANTO, duke i besuar tërësisht dhe duke ia kryer pagesën për sheqer dhe vaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published.