Sot ka nisur viti i ri shkollor 2023/2024 në Kosovë, por jo edhe në Shqipëri, pasi do të nisë më 11 shtator. Për dallim nga Kosova, atje ka nisur shpërndarja e librave, të cilat do të jenë falas për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Risi e këtij viti është fakti që nxënësit në klasa të 2-të dhe të 3-të nuk do t’i kthejnë librat në fund të vitit.
Shkollat kanë organizuar orare të ndryshme për çdo klasë për të shmangur fluksin, ndërsa të parët që janë pajisur me libra janë më të vegjlit.
“I morët të gjitha librat, shumë na lehtëson…Të rinj, vetëm gjuha është e përdorur…është pa shënime”, thotë një prind.
“Shuma na lehtëson, sepse dhe dy kalamaj në këtë shkollë. Klasë e parë dhe të gjashtë që janë libra të rinj dhe falas…”, shprehet një tjetër.
Nxënësit nga klasa e parë në të tretë dhe nga klasa e gjashtë në të shtatë këtë vit do të marrin libra të rinj pa pagesë. Parashikohet që prej kësaj nisme të përfitojnë rreth 242 mijë fëmijë.
Ndryshe nga nxënësit e klasës së gjashtë dhe të shtatë, të cilëve tekstet shkollore iu rinovohen një herë në tre vjet, më të vegjlit do të pajisen me libra të rinj çdo vit duke i dhënë zgjidhje kështu një prej ankesave të prindërve.
Pjese e skemës së librave falas janë dhe nxënësit e 16 kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë.