Këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka kritikuar Elon Muskun se ka lejuar indirekt forcat ruse të sulmojnë qytetet ukrainase, pasi u zbulua se komunikimi i tij satelitor Starlink ndërhyri në një operacion me dron.
Detajet e incidentit janë paraqitur në një biografi të Muskut nga Walter Isaacson, që pritet të dalë të martën. Libri përshkruan se si rrjeti çaktivizoi komunikimet pranë bregut të gadishullit të Krimesë të pushtuar nga Rusia, ndërsa dronët ukrainas po iu afroheshin anijeve luftarake ruse, duke rezultuar në “humbjen e lidhjes”.
Sipas librit të Isaacson, Musk dyshohet se urdhëroi inxhinierët e Starlink të fiknin komunikimet pasi kishte frikë se presidenti rus Vladimir Putin do t’i përgjigjej me armë bërthamore një sulmi ukrainas në Krime.
“Unë mendoj se nëse sulmet ukrainase do të kishin arritur të fundosnin flotën ruse, do të kishte qenë si një mini Pearl Harbor dhe do të çonte në një përshkallëzim të madh”, citohet të ketë thënë Musk. “Ne nuk donim të ishim pjesë e kësaj”.
Shërbimi i Starlink, SpaceX, është përdorur nga trupat ukrainase në disa përpjekje, përfshirë komunikimet në fushëbetejë.