Të paktën 56 persona kanë humbur jetën nga zjarri në një bllok apartamentesh në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi.
Lajmi u bë i ditur nga media shtetërore e Vietnamit, duke zbuluar se mes viktimave ka edhe fëmijë.
Zjarri shpërtheu gjatë natës në një ndërtesë nëntë-katëshe, ku banojnë rreth 150 banorë, sipas Agjencisë zyrtare të Lajmeve të Vietnamit (VNA), e cila tha se zjarri u kontrollua në orën 2 të mëngjesit (19:00 GMT).
I kontaktuar nga agjencia “Reuters”, një oficer i policisë së Hanoi tha se numri i viktimave ende nuk është finalizuar dhe nuk pranoi të japë detaje.
Imazhet televizive treguan zjarrfikës të pajisur me zorrë dhe shkallë në vendngjarje gjatë natës, ndërsa një shtëllungë tymi i trashë dhe i errët dilte nga ndërtesa ditën.
Policia vietnameze tha se po hetohet se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Disa nga viktimat u shtruan në spitalet lokale me lëndime të shumta pasi u hodhën nga dritaret e tyre për t’i shpëtuar zjarrit, tha media shtetërore.
Kryeministri Pham Minh Chinh, vizitoi vendin e zjarrit të mërkurën dhe bëri thirrje për plotësimin e rregulloreve kundër zjarrit në ndërtesat e vogla të banimit dhe në zonat e banuara me popullsi të dendur, sipas një deklarate të qeverisë.