Analistja dhe aktivistja për të drejtat e grave, Zana Avdiu, në një intervistë për mediumin gjerman “Tages-Anzeiger”, ka ndarë pikëpamjet e saj në lidhje me tensionet e fundit në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Ajo foli për tensionet e rritura pas, i cili ndodhi të dielën e 24 shtatorit.
Zana Avdiu shpreh bindjen se rreziku më i madh vjen nga grupet paraushtarake të organizuara brenda Kosovës dhe jo nga ushtria serbe e rregullt. “Ata [populli i Kosovës] janë të shqetësuar. Dhe ata pyesin veten nëse mund të ketë luftë. Tensioni është i dukshëm edhe në Prishtinë, sulmet e 24 shtatorit janë temë diskutimi gjithandej”, ka thënë Avdiu.
Në lidhje me mundësinë e një sulmi të ushtrisë serbe ndaj trupave të NATO-s, Avdiu dyshon se Serbia do të guxonte një sulm të tillë për shkak të marrëveshjeve me NATO-n. Ajo beson se rreziku vjen më shumë nga serbët vendas dhe një konflikt do të shkaktohej më së shumti nga ata.
“Dyshoj se Serbia do ta sulmojë Kosovën me ushtrinë e saj të rregullt për shkak të marrëveshjeve me NATO-n – siç është Marrëveshja e Kumanovës. Rreziku vjen më shumë nga serbët vendas. Nëse ka një konflikt, ai do të shkaktohet prej tyre.” – ka deklaruar Avdiu.