Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e ka cilësuar të papranueshme shpalljen e ditës së zisë në Serbi për tre terroristët e vrarë në veri të Kosovës.
Këto komente, kryeministri shqiptar i bëri gjatë një konference për media në Zagreb, ku u takua me homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.
“Nuk është e pranueshme që në mes të Europës e në mes të një rajoni ku gjithë vendet kanë shprehur vullnetin që të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, një grup kriminal i armatosur deri në dhëmbë, ushtarakisht me uniforma ilegale t’i marrë jetën një efektivi policie dhe pastaj t’i gëzohet nderit më të lartë që mund të ekzistojë, zisë kombëtare në vendin nga ku e ka origjinën. Kjo është kulmi, e papranueshme, e pajustifikueshme dhe e dënueshme”, u shpreh Rama.
Vendimi u mor nga qeveria e Republikës së Serbisë gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme të martën, 2 ditë pas ngjarjes.