/

Dokumenti që zbulon lidhjet ruse të trazirave në veriun e Kosovës

Një dokument konfidencial, i përgatitur nga shërbimet sekrete të vendeve Perëndimore, i është dorëzuar Aleksandër Vuçiqit, që përpara se të ndodhte tragjedia e Banjskës në Kosovë.

Një raport i hollësishëm, që trajton jo thjesht lidhjen e shtetit serb në përgatitjen, financimin dhe nxitjen e grupit të armatosur, por edhe lidhjen e fortë me Moskën që prej kohësh.

Aleksandër Vuçiq, duket se nuk u gjet ‘gafil’ kur të armatosurit u kapën mat në manastirin e fshatit Banjskë të Zveçanit.

Skenarin e rrjedhjes së ngjarjeve, ai e lëshoi më vonë, pasi përfundimisht nuk kishte si të vepronte ndryshe. Natyrisht, zgjidhjen e largimit të planit ogurzi e kishte në dorë, por në fund skenari u aktivizua, por jo i plotë.

Një burim diplomatik i tha Pamfletit, që pikërisht në këtë kohë është vënë në lëvizje një kombinacion i shërbimeve perëndimore, të cilat kanë depërtuar thellë qoftë në kupolën e shërbimit sekret serb, por edhe në grupin e armatosur.

Kjo shpjegon më pas edhe një negociatë të fshehtë për largimin e pjesës më të madhe të grupit të armatosur drejt Beogradit.

Megjithatë, pjesa më me spec e çështjes është filli rus i këtij grupimi, fill që duket që e lidh një person, i cili para pak ditësh ishte në Prishtinë dhe mbajti një fjalë në emër të Milan Radojçiçit, kreut të grupit terrorist dhe deri dje nënkryetar i Listës Serbe.

Ai është Goran Petronijeviç, një nga njerëzit më misteriozë jo vetëm të Serbisë por të të gjithë Ballkanit.

I lindur në Medvegjë, Petronijeviç, ka qenë një nga ortakët dhe miqtë e ngushtë të një prej njerëzve më të tmerrshëm të Serbisë, Dushan Spasojeviç, përkatësisht kreu i bandës famëkeqe të Zemunit.

Ndërkaq, për të ardhur tek lidhja ruse, Petronijeviç është drejtues i një rrjeti kompanish turistike dhe mediatike të quajtura Ruski Ekspres. Kompania funksionon në dukje si agjenci turistike e udhëtimesh ekskluzivisht për Rusinë, ndërkohë që boton një gazetë edhe online edhe në shtyp të quajtur Proket Za Srbia (Projekti për Serbinë).

Kjo media merret vetëm me analiza politike dhe gjeopolitike për të bindur opinionin publik serb që të mbajë aleancë vetëm me Rusinë e Kinën, e jo me Perëndimin e NATO-n. Pjesë e këtij rrjeti është edhe i ashtuquajturi Komitet Ndërkombëtar për Sllobodan Milosheviçin, një shoqatë për të glorifikuar diktatorin gjakatar serb.

Agjencia e Udhëtimeve të Goran Petronijeviçit, ka të dhëna se është vetëm në dukje e tillë, pasi është një filial e infrastrukturë i veprimeve të agjencive të spiunazhit rus GRU e FSB në Serbi dhe Ballkan.

Dokumenti i rezervuar, që ka mbërritur në tavolinën e Vuçiçit, bën të ditur se i gjithë ky aksion që vjen nga Rusia është financuar me paratë e krimit të organizuar, ku noton avokati i Milan Radojçiçit. I cili ka qenë dhe është mbrojtësi ligjor i personazheve më të errëta të Serbisë; që nga Radovan Karaxhiç e krerët e Klanit të Zemunit.

Goran Petronijeviç i është futur avokatisë në vitin 2001, pasi ka punuar në një kohë të gjatë si gjyqtar në Kosovë, ku ka dënuar shumë shqiptarë gjatë regjimit të MIlosheviçit.

Klientët e tij më të famshëm ishin ish-shefi i UDB Rade Markoviç, ish-shefi i Sigurimit Ushtarak KOS Aco Tomiç dhe në Hagë ai përfaqësonte Veselin Shljivançanin dhe Radovan Karaxhiçin.

Ndërkaq, ka qenë avokati personal i i këngëtares Svetlana Ceci Razhnatoviç, e quajtura Ceca, e cila ishte gruaja e kryekriminelit serb Arkanit.

Megjithatë, historia më enigmatike e Petronijeviçit është marrëdhënia e ngushtë me ish-kreun e klanit të Zemunit, Dushan Spasojeviçin. Për të cilin, mediat beogradase kanë hedhur dyshimet se ishte avokati që ndikoi në vrasjen e ish-mikut të tij të ngushtë dhe kreut tjetër të Zemunit Mile Lukoviç, nga forcat speciale të xhandarmërisë serbe më 27 mars 2003. Vrasja ndodhi gjatë një aksioni për arrestimin e tyre, pasi akuzoheshin për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Xhinxhiç.

Dushan Spasojeviçi, ishte bashkëfshatar me Petronijeviçit, të cilët kanë lindur e rritur në Luginën e Preshevës.

Të dy e dinin shqipen rrjedhshëm. Spasojeviçi, në fillim të “karrierës” së tij, kur bënte grabitje me dhunë, fliste me viktimat në gjuhën shqipe për tu kamufluar. Ndaj kundërshtari i tij Ljubisha Buha Çume e thërriste me nofkën “shiptari”. E madje për këtë ndikoi që edhe shumë media ta quanin të tillë, edhe pse nofka e Spasojeviçit ishte “Duça”.

Petronijeviç ka mbrojtur gjithashtu edhe Sasha Pejakoviç Pelet, ish-snajperistin e Beretave të Kuqe serbe, mik i Legijas, i cili qëlloi personalisht kundër kryeministrit serb. Dokumenti i shërbimeve perëndimore, e konsideron njeriun kyç të lidhjes ruse, por që natyrisht e ka kryer në mënyrë perfide për të mos u zbuluar nga Perëndimi.

Madje dyshohet se një pjesë e armëve të kapura në Banjskë që ishin të prodhimit britanik, janë sjellë nga bazat e shërbimit sekret ushtarak rus-GRU që përdor armë britanike për arsye diversioniste në operacionet e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.