Me tensione dhe debate me tone të forta po shoqërohet seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, ku duket se folësit kanë devijuar nga rendi i ditës dhe po flasin për tensionet në Kosovë.
Teksa ish-kryeministri Sali Berisha bllokoi foltoren e Kuvendit dhe nuk pranoi që ta lironte atë, duke vijuar të fliste edhe me mikrofon fikur, kreu u PD-së Lulzim Basha nga ana tjetër vijonte replikën nga vendi i vetë. Kaq mjaftoi që të ngrihej Garda dhe të rrethonte foltoren.
Berisha ka shigjetuar Kryeministrin e vendit Edi Rama duke e konsideruar deklaratë e tij se veriu i Kosovës është vend pa zot si një akt “anti-shqiptar.”
Edhe deputet të tjerë të opozitës e kanë konsideruar deklaratën e Ramës si të papranueshme.
Opozita ka kërkuar njëzëri reagim më të shpejtë për situatën në Kosovë duke mos pritur seancën e 12 tetorit në Kuvend për të diskutuar këtë çështje.
Në anën tjetër, deputetja e mazhrancës Elisa Spiropali dhe më vonë Ministri i Brendshëm Taulant Balla e kanë konsideruar reagimin e opozitës së një lëvizje politike duke shprehur edhe njëherë angazhimin për të unifikuar qëndrimet në një rezolutë të përbashkët që pritet të diskutohet dhe miratohet më 12 tetor në Kuvendin e Shqipërisë.
Ndërkohë, deputetja e PD-së Jorida Tabaku e quajti debatin e ditës së sotme në seancën plenare si një debat i cili nuk i shkon deputetëve të Shqipërisë.
Ajo tha se duhet që si opozita dhe mazhoranca të dalin me një rezolutë të përbashkët për Kosovën e të mos e përdorin atë si plaçkë lufte.
“Meqenëse isha dhe unë në Konferencën e Kryetarëve, për transparencë të të gjithëve dhe si përfaqësuese e PD-së siç kam qenë prej shumë vitesh, grupi parlamentari i PD-së kërkoi me insistim që të niste debati për çështjen e Kosovës me këto fjalë që po përdoren këtu, përpara parlamentit Europian, përpara parlamentareve të tjera t’i bashkoheshim qëndrimit të Kosovës”, tha Tabaku.
“Kjo që po dëgjoj sot këtu ka çuditur të madh dhe të vogël, po më shkruajnë kolegët nga Kosova dhe nga të gjithë vendet e rajonit që çfarë është kjo që Kosova po përdoret si plaçkë politike këtu. Kjo luftë me rezoluta që e imja është më e mirë se e jotja nuk i shkon fare këtij parlamenti. Elisa ti përdore dhe fjalët që thashë unë dje… Do ishte në dinjitetin e këtij parlamenti që të mblidhej dhe të miratonim sa më parë një rezolutë të përbashkët. Dua t’ju informoj znj. Kryetare që në PE kishte një debat për Kosovën, gjithashtu dhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës do të ketë një debat për Kosovën me një rezolutë të propozuar nga deputeti i CDU-së Knut Abraham dhe unë me dy deputetë të grupit Partive Popullore Europiane (EPP) do të kemi një debat për të miratuar një rezolutë që do të miratohet para këtij parlamenti”, shtoi Tabaku.
“A ka turp më të madh për të miratuar një rezolutë për deputetët e Shqipërisë sesa ky? Se dëgjova që të gjithë përdorën fjalën “turp” këtu. Njeriu është ajo çfarë bën, jo ajo çfarë thotë! Fjalët e Elisës dhe të liderave me radhë i kemi dëgjuar me kohë. çfarë është bërë për Kosovën që sot marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë janë në nivelin më të keq dhe me të ulët?
Këtë duhet të diskutojë parlamenti dhe se si ka mundësi që orientimi strategjik i politikës tonë ka ndryshuar dhe që nuk shohin më interesin kombëtar por interesin e shteteve të tjera që nuk përfaqësojnë interesin më të mirë të Shqipërisë?
T’i lëmë debatet se kush rezolutë është më e mira sepse ka ndodhur herën e parë me dënimin e krimeve serbe në Kosovë, ka ndodhur me rezolutën që PD prezantoi këtu për Srebenicën dhe për rezolutën për të dënuar sulmin rus ndaj Ukrainës. Nuk ka asgjë të keqe që e prezanton dikush mëparë rezolutën, ai që kërkon mëparë debatin apo interpelancën. Ne sot nuk na takonte ky sherr!
Për t’ju përgjigjur dhe bashkuar shqetësimit që kolegu Çollaku ngriti këtu, po, kam dy vite që e kërkoj dhe më në fund ka common sense dhe ne që mos t’i lëmë ata të kënaqem me sherrin dhe debatin tonë, sepse ne që rrimë e flasim këtu gjatë ditës, e kemi shumë të vështirë të flasim për njerëzit. Ikin të gjithë ata, mezi presin debatin dhe sherrin tonë dhe largohen pastaj sepse presin që ne të zihemi këtu me njëri tjetrin dhe jo të flasim për njerëzit”, tha Jorida Tabaku.