Prishtinë– Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve Xhafer Ramaj (ish-shef i sektorit të Gjeodezisë) dhe Sheshfet Morina (ish-shef i sektorit të Kadastrit në Komunën e Drenasit), të cilët akuzoheshin se në cilësinë e personave zyrtarë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre.
Në këtë rast, Shefqet Morina dhe Xhafer Ramaj tash pensionistë, akuzoheshin se gjatë një periudhe tetëvjeçare, nuk kishin respektuar procedurat ligjore me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave bujqësore në toka ndërtimore në Drenas.
Aktgjykimi ndaj Morinës dhe Ramajt, u shpall të hënën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Sulltane Hoti.
Sipas këtij aktgjykimi, nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale e cila iu vihej në barrë.
Shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.
Ndërsa, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike, pala e dëmtuar – Komuna e Drenasit është udhëzuar në kontest civil.
Tutje, thuhet se me rastin e ndërrimit të destinimit të tokave, edhe pse paraprakisht nuk ka pasur vendim të Kuvendit Komunal, pëlqim nga ministria apo pëlqim urbanistik, varësisht nga kategoria apo klasi i tokës, të pandehurit në kundërshtim me ligjet e lartcekura dhe udhëzimin administrativ, kanë bërë ndërrim të destinimit të tokave prej tokës bujqësore në tokë ndërtimore në në 16 zona kadastrale, në komunë të Drenasit, ZK. Zabel i Ulët, ZK. Sankoc, ZK. Karrtoicë e Epërme, ZK. Tërdec, ZK. Polluzhë, ZK. Tërstenik, ZK. Llapushnik, ZK. Gllobar, ZK. Shtrubullovë, ZK. Negroc, ZK. Nekoc, ZK. Komoran, ZK. Gllogoc, ZK. Arllat, ZK. Qikatovë e Vjetër dhe ZK. Qikatovë, në sipërfaqe të përgjithshme prej 25.55.51 hektar.
Sipas Prokurorisë, me rastin e ndërrimit të destinimeve të tokave nga ajo bujqësore në atë tokësore, nuk është kompensimi për ndërrim, me ç’rast Komuna e Drenasit është dëmtuar në shumë prej 231 mijë e 689 euro.