Gjashtë dronë për Policinë e Kosovës dhe një për Inspektoratin Policor të Kosovës janë dhënë sot donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ky donacion u vlerësua si shumë i rëndësishëm për Policinë e Kosovës.
Në fotografitë e dërguara nga Zyra e informimit e Policisë së Kosovës shihen dronët që i janë dhënë Policisë.
Ndryshe, në ceremoninë e nënshkrimit të pranim-dorëzimit të donacionit prej shtatë dronëve mori pjesë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës kolonel Gazmend Hoxha, ambasadori i amerikan Jeffrey Hovenier, etj.
Drejtori Hoxha tha se SHBA-të janë ndër mbështetësit kryesorë të Kosovës, ndërsa tha se ky donacion është tejet i çmueshëm dhe ndër të tjera do të përdoret për monitorimin edhe të kufijve të Kosovës.
“Në lidhje me donacionet që po pranojmë sot, është një donacion i nevojshëm dhe i çmueshëm i cili do të ndikojë pozitivisht një ngritjen e kapaciteteve të Policisë për të menaxhuar situata në terren, si nga aspekti i menaxhimit të eventeve të mëdha, si në protesta, koncerte, manifestime publike, monitorimin e kufijve të Kosovës si dhe në operacione tjera të hetimit që policia do t’i kryejë në të ardhmen”, tha Hoxha.
Ndërkaq, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier tha se sot po zyrtarizojnë donacionin e qeverisë amerikane për Policinë e Kosovës të 7 sistemeve të fluturakeve pa pilotë.
Ai tha se duke marr parasysh shkallën e veprimtarisë kriminale të grupeve të krimit të organizuar që janë në rajon këto sisteme të fluturakeve pa pilotë do të jenë burim jetik i organeve të zbatimit të ligjit për të luftuar këto veprimtari kriminale të cilat siç tha zhvillohen përmes tokës dhe ajrit.