Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e radhës të kabinetit qeveritar, të mbajtur sot, ka folur edhe një herë për ngjarjet e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Shefi i ekzekutivit, ka thënë se nga ajo e diel e fundit të shtatorit gjithçka është ndryshe. Sipas tij dokumentimi i përfshirjes së shtetit serb në këto ngjarje janë motiv shtesë për skenarë tjerë destabilizues.
Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, bëri të ditur se institucionet tona të sigurisë kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimi të sulmeve nga grupe kriminale duke shtuar se lirimi i Radoiçiqit, është sinjal për hakmarrje.
“Lirimi i Radoiçiqit, më pak se 24 orë pas arrestimit, është dëshmi dhe sinjal për rigrupim dhe hakmarrje. Sepse më 24 shtator Beogradi zyrtar e militar dështoj. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës së fundi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.
Sipas kryeministrit, është synuar që policia e Kosovës të paraqitet si forcë shtypëse për serbët e Kosovës, por ky qëllim ka dështuar.
Kryeministri i Kosovës, ka thënë se regjimi aktual si kurrë më parë i përngjanë regjimit të Millosheviqit.
“Për rastësi javën që lamë pas shënoi 23 vjetorin e rënies së regjimit të Milloshoviqit, e për fat keq 23 vjet pas 5 tetorit regjimi aktual i Serbisë asnjëherë më parë nuk i ka përngjan më shumë se sot Serbisë së Millosheviqit në botëkuptim, e në synime në sjellje në metoda e veprime”.
Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar u është drejtuar qytetarëve në veçanti atyre të komunitetit serbë në Kosovë që tu besojnë institucioneve të Kosovës dhe t’mos bien pre e dezinformatave.
Në fund kryeministri u ka shprehur mirënjohje qytetarëve për besimin dhe bashkëpunimin.