Ish-ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare.
Krerët e shtetit të Kosovës dhe liderët partiakë, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Ahtisaarit, figurën e të cilit e kanë çmuar lartë.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar se sot iku nga kjo botë një figurë madhështore e skenës globale politike, kryenegaciatori për statusin e Kosovës, ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.
“Presidenti Ahtisaari ishte njeriu që tërë jetën e tij ia kushtoi paqes, diplomacisë dhe të mirës për njerëzimin dhe që pati ndikim të jashtëzakonshëm për të tashmen dhe të ardhmen tonë! Ai skaliti kornizën e shtetit tonë, teksa emri i tij do të mbetet përherë në analet e historisë së Republikës së Kosovës. Paçebërësi dhe vizionari do të mbetet përherë në kujtimet e popullit të Kosovës!”, ka shkruar Osmani.
Edhe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaarit.
Haradinaj ka thënë se Ahtisaari ishte njëri ndër figurat kryesore në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë.
“I pikëlluar për ndarjen nga jeta të Martti Ahtisaari, një mik i madh i Kosovës, njëri ndër figurat kyçe në rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Populli i Kosovës i është mirënjohës gjithmonë për kontributin e tij në shtetndërtim dhe mbështetjen në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.