Kosova më 24 shtator u përball me agresion e sulm terrorist nga një grup serbësh në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zveçanit ku u sulmua Policia e Kosovës dhe mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.
Në këtë grup terrorist të serbëve pjesëmarrës ishte edhe Milan Radoiçiq, njeri i afërt me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
E pas situatës së krijuar në vend, është kuptuar që kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron i kanë dërguar një letër të përbashkët, kryeministrit Albin Kurti me disa kërkesa specifike.
Kjo letër nuk është bërë publike, gjersa është kontaktuar me Qeverinë e Kosovës, por nuk është marr përgjigje se e kanë pranuar ose jo një letër të tillë.
Në ndërkohë në pyetjen tonë drejtuar Zyrës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, nuk mohohet as nuk po pohohet një gjë e tillë.
“Ju lutemi kuptoni se për çështje parimore ne nuk komentojmë ose informojmë për komunikime konfidenciale ndërkombëtare. Vetë kancelari e bëri shumë të qartë se çfarë pret nga Serbia dhe Kosova. Shihni komentet e tij të dhëna të hënën në konferencën për shtyp”, thuhet në përgjigje.
Pyetje të njëjtë, i kemi shkruar edhe Zyrës së presidentit francez, Emmanuel Macron, por deri në këto momente nuk ka pranuar përgjigje.
Ndryshe, dyshja më e rëndësishme e BE-së, Scholz dhe Macron kanë kërkuar të hënën nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq që t’i mbajnë premtimet që kanë dhënë e që kanë të bëjnë me dialogun dhe t’i kthehen marrëveshjes bazë, të njohur si Plani franko-gjerman.