//

​Pozita u bën thirrje deputetëve opozitarë që të enjten t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Deputeti nga mazhoranca, Armend Muja ka thënë se në seancën e Kuvendit që është vendosur të mbahet të enjten shumica e pikave që do të diskutohen janë për marrëveshjet ndërkombëtare, me ç’rast iu ka bërë thirrje gjithë deputetëve, me theks atyre të opozitës t’i votojnë këto marrëveshje, pasi siç tha ai, janë jetike për qytetarët e vendit.

Muja pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit derisa ka renditur marrëveshjet që do të diskutohen, tha se afërisht vlera e tyre është 400 milionë euro.

“Shumica e pikave ndërlidhen me votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, kështu në seancën e së enjtes para deputeteve është marrëveshja ndërkombëtare për linjën hekurudhore 10, është financimi i linjës hekurudhore prej Prishtinës deri në Leshak të Mitrovicës, është financimi i Gizz-it gjerman për subvencionet në bujqësi, është që të ndihmohen bujqit e vegjël në ekonomitë familjare të vogla, me bollëk, Shalë e Bajgorës dhe Rugovë, e deri tash marrëveshja me Qeverinë e Danimarkës për burgjet. Është marrëveshja për ngrohje solare të Prishtinës, pra është një marrëveshje që financohet nga Qeveria dhe Banka Evropiane për Zhvillim dhe, e cila ka si qëllim që në Komunën e Prishtinës të rritet ngrohja qendrore përmes energjisë solare. Marrëveshje tjetër është për bursa, me qeverinë franceze, pastaj marrëveshja ndërlidhet me pjesëmarrjen e Kosovës në tregun e përbashkët evropian. Një marrëveshje tjetër që është e fundit është përkrahja e Bankës Botërore për qeverisje digjitale. Në përgjithësi këto marrëveshje kapin vlerën afërsisht 400 milionë euro dhe janë jetike për qytetarët e Kosovës. Andaj, si mazhorancë iu bëjmë thirrje gjithë deputetëve, posaçërisht ata që janë në partitë opozitare që të njëjtat të votohen. Gjithashtu është vendosur të diskutohet për Raportin e Progresit, sikurse edhe për Programin Kombëtar të Shkencës”, tha Muja.

Leave a Reply

Your email address will not be published.