/

Rohde: Kosova do të humbasë shumë para nëse s’i voton marrëveshjet ndërkombëtare së shpejti

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, tha se mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare nga Kuvendi i Kosovës do t’i shkaktojë shumë humbje parash Kosovës.

Ai tha se për marrëveshjet gjermane ka afate kohore dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato i humbin Kosovës.

“Mendoj që është e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që këto marrëveshje të votohen së shpejti sepse Kosova do të humbasë shumë para nëse këto marrëveshje nuk votohen së shpejti. Është në interes të të gjithë vendit. Qeveria ime ka disa marrëveshje – është një kredi e dhënë nga KFW, e cila do të ndihmojë për të modernizuar, për shembull, infrastrukturën e energjisë elektrike në Kosovë. Ka një kredi ndërkombëtare ose ka fonde nga GIZ-in për zhvillimin rural. Këta janë vetëm disa shembuj  Në rastin tonë ka afate buxhetore dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato shkojnë dhe kjo do të ishte shumë fatkeqësi për Kosovën, por edhe për taksapaguesit gjermanë sepse paratë nuk mund të shpenzohen”, tha Rohde.

Në disa seanca të Kuvendit është bartur votimi për marrëveshjet ndërkombëtare. Partia në pushtet ka kërkuar nga opozita që këtë sesion vjeshtor t’i përkrahë së paku marrëveshjet ndërkombëtare. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë premtuar përkrahje, por kërkojnë që projektligjet të mos jenë antikushtetuese. Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se s’do të marrin pjesë në asnjë votim në Kuvend.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se derisa partia e tij ishte në opozitë ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare, ndërsa opozita sot s’po e bën.

“Kur kam qenë në opozitë për gati një dekadë, unë i kam votuar 374 nga 377 marrëveshje ndërkombëtare. Vetëm tri nuk i kam votuar, që i bie më pak se një për qind. Ndërkaq, tash 10 marrëveshje nuk e votojnë asnjërën dhe ato mjete ngelen të bllokuara, që është keq për qytetarët”, kishte thënë Kurti.

Kurti pati thënë se janë 10 marrëveshje ndërkombëtare të bllokuara në Kuvend, të cilat tha se janë në vlerë 380 milionë euro.

Leave a Reply

Your email address will not be published.