/

S’e kam ditur që janë aty! Haxhiu e pranon se u dogjën mustaqet e Adem Jasharit dhe gishti i Isa Boletinit në IML

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, lidhur me djegien e mustaqeve të komandantit legjendar Adem Jashari dhe gishtit të Isa Boletini, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka thënë se nuk ka pasur informacione se ato po mbaheshin në IML.

“Sa i përket asaj çka është raportuar dje, mustaqeve dhe gishtit të Isa Boletinit, ato nuk kanë qenë pronë e Institutit të Mjekësisë Ligjore sepse IML nuk ka të drejtë që të mbajë gjëra të tilla. Siç na është thënë, në vitin 2000 familjet Boletini dhe Jashari ia kanë dhënë njërit prej ekspertëve të IML-së. Familjet ia kanë dhënë atij dhe personi i ka mbajtë në zyrë. Po ta dija unë, ato duhej ti mbante shteti. Nuk kam pasur informacione se kanë qenë në zyrë të një prej ekspertëve”, tha Haxhiu.

Nga ana tjetër, deputeti Tahiri në replikë ndaj ministres Haxhiu tha se “me ardh me dhënë arsyetime kaq të lehta në mënyrën se si janë dëmtuar mbetjet mortore të të heroit tonë kombëtar Isa Boletini, dhe me fol për mustaqet e Adem Jasharit në këtë formë, kaq lehtë, dhe mos të ndjesh aspak përgjegjësi është e pabesueshme”.

“Nuk do të kisha mundur që të qëndroj në jetën publike si rezultat i një dëmi moral që ma kishte bërë ky rast”, tha Tahiri.

“Të paktën, në kohën tim si Ministër i Drejtësisë nuk kam përjetuar ndonjë gjë të tillë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nuk kam përjetuar ndonjëherë humbje të mostrave, nuk kam përjetuar ndonjëherë zjarrëvenie – asnjëherë”, shtoi.

Për herë të dytë brenda këtij viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore, është përfshirë nga zjarri, ndërsa të mërkurën u raportua se në rastin e fundit të së martës, janë djegur mustaqet e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe gishti i Isa Boletinit, gjë që u konfirmua nga vetë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, këtë të enjte.

Leave a Reply

Your email address will not be published.