Gjashtë persona në Prishtinë janë arrestuar këtë të mërkurë pasi u zbulkua veprimtaria e tyre e jashtëligjshme e falsifikimit të parave.
Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të arrestuar janë tre shtetas të Kosovës dhe tre të Maqedonisë së Veriut. Ky institucion tha se dyshohet që paratë të jenë prodhuar “në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit”
Njoftimi
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.
Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë (6) persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy (2) €uro të falsifikuara. Ndërkaq, tre (3) nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre (3) të tjerë shtetas të Kosovës.
Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 €uro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara. Po ashtu, janë sekuestruar katër (4) vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe shtatë (7) telefona celularë.
Personat e arrestuar me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë dërguar në mbajtje për 48 orë, si dhe brena afateve kohore ligjore do të bëhet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.