/

Vrasja në Dujakë të Gjakovës, dëshmitari thotë se kishte dëgjuar të akuzuarin duke i thënë të ndjerit “mos u afro se të vras”

Në seancën e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Shpejtim Knushi, për vrasjen e tani të ndjerit M.J, pas një mosmarrëveshje lidhur me një kabllo elektrike, dëshmitari okular, Kreshnik Alijaj tha se në momentin kritik kishte dëgjuar të akuzuarin duke i thënë të ndjerit “mos u afro se të vras”.

Dëshmitari Alijaj, tha se kishte qenë prezent kur ka ndodhur rasti, duke punuar në marketin afër vendit të ngjarjes, ku para momentit kritik i akuzuari kishte qenë duke u shërbyer në lokalin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se përgjatë punës, duke kaluar nga frigoriferi e kishte parë të akuzuarin Knushi pas makinës së tij dhe të ndjerin M., që vinte nga ana tjetër e rrugës, duke shtuar se ai e ka vazhduar punën, por në një moment kishte dëgjuar disa britma.

“Kam dëgjuar disa britma por nuk munda t’i perceptoj se çka janë këto dhe në moment mu ka kujtu se Shpejtimi dhe M., më herët kanë pasur në të kaluarën një mosmarrëveshje dhe menjëherë i lash gjerat tek arka dhe kam dal jashtë nga marketi dhe kam shkuar drejt andej, ka kanë qenë duke u fjalosur Shpejtimi me M”, tha dëshmitari Alijaj.

Tutje, ai ka shtuar se ka dëgjuar kur i akuzuari ka shtënë një herë anash M. e duke i thënë “mos mu afro se të vras”, duke theksuar se viktima M., në ato momente i kishte thënë “gjuaj”, e më pas ai e kishte kapur të akuzuarin duke e mbajtur të bllokuar që të mos gjuan.

“Isha fut në mes dhe duke e tërhek Shpejtimin e vërejta se nuk e ka pas armën në anën e majtë por në të djathtën. E di se në anën e djathtë ka kërsit arma, e kam shtyrë Shpejtimin por nga ai moment nuk më kujtohet më asgjë se kur e kam parë M., s’kam qenë më emocionalit mirë”, tha dëshmitari Alijaj.

Sipas tij, distanca në momentin e gjuajtjes mes tyre ka qenë 3 deri në 4 metra.

“M. më kujtohet se është rrëzuar, Shpejtimi ka shkuar kah makina, unë jam dashur të mirrem me vajzën time, se ishte shqetësuar. E di që Shpejtimi ka thënë diçka se ka qenë jashtë kontrollit por nuk më kujtohet se çka ka thënë”, shtoi dëshmitari Alijaj.

Seanca ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit Qamil Knushi, i cili tha se në natën kritike kishte qenë në lokalin e të ndjerit M,, ku e kishte takuar para lokalit.

“Pas dita minutave nuk ka shkuar gat, e kemi ndi një krismë kemi vrapu jam dal vrap jashtë, kur jam dal jashtë ka bo krisma e dytë dhe e kam parë duke u rrëzuar M. dhe e kam dhez makinën pasi që vetëm makina ime ishte aty dhe Shpejtimin nuk e kam parë për shkak të trafos, por kur kam dal më andej e kam parë Shpejtimin, e kam hyp M. në kerr me Pashkin dhe Qendrimin dhe direkt për emergjencë”, tha dëshmitari Knushi.

Krismat e dëgjuara tha se kanë qenë shumë afër me sekonda nga njëra tjetra si dhe distanca mes ngjarjes dhe lokalit sipas tij, ishte afër 30 metra dhe se nuk kishin mundur të dëgjonin se për çka janë fjalosur.

Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar edhe i dëmtuari Osman Juniku, në cilësinë e dëshmitarit, ku tha se deri në momentin e ngjarjes raportet në mes vëllait të tij dhe të pandehurit kishin qenë të mira dhe nuk ka pasur asgjë të keqe në mes tyre.

Lidhur me rastin Juniku tha se e kishte kuptuar nga vëllai i tij i madh e më pas kishte ardhur nga Franca në Kosovë, aty më pas e kishte takuar vëllain e tij në spital por nuk ka mundur të kontaktonte me të.

Ai tha se gjendja e vëllait të tij tani të ndjerë ishte shumë e keqe dhe e rëndë.

“Kam kontaktu me të kur kam ardhur më 5 gusht të vitit 2022. E kam takuar në shtëpi kemi biseduar shumë pak.  Më ka tregu për një kabull rryme diçka në bjeshke dhe nuk ka mundur të diskutoi më tepër”, tha i dëmtuari Juniku.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, i pandehuri Shpejtim Knushi, ngarkohet se më 4 korrik 2022, rreth orës 21:20, në fshatin Dujakë Komuna e Gjakovës, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin M.J.

Sipas aktakuzës, shkaku u vrasjes ishte një mosmarrëveshje në lidhje me heqjen e një kabllo elektrikë nga viktima në shtëpizën e të pandehurit në bjeshkë.

Pas fjalosjes mes vete në një moment i pandehuri kishte nxjerr nga brezi pistoletën dhe në një distancë prej 2-3 metrash, shtënë fillimisht në tokë afër këmbëve të viktimës e më pas e qëllon në pjesë vitale të trupit.

Për këto ai ngarkohet për veprën penale të “Vrasjes”, nga neni 172 i KPRK-së, si dhe për veprën e dytë “Mbajtja në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.