Shtëpia e gjyqtarit në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka qenë cak i hajnave. Policia e Kosovës ka intervenuar në lagjen ‘Veternik’ të Prishtinës, ku një person kishte mësyrë shtëpinë e Kuçit për të kryer vjedhje, shkruan Insajderi.
Është raportuar se bëhet fjalë për pronën e gjyqtarit, Agim Kuçi.
Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur disa mjete shpërthyese si shok-bomba, fishekë të armës, mjete të mprehta, por edhe dokumente zyrtare të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Rasti është raportuar edhe në raportin 24 orësh të Policisë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në çantën e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim përcjell Insajderi.