Në orët e para të mëngjesit, një 34-vjeçare nga Gjakova është gjetur e vdekur në afërsi të një hoteli në dalje të Prishtinës, në fshatin Suhadoll, derisa siç merr vesh DTV para se të gjendej, ajo po qëndronte në hotel me të dashurin e saj.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë se Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe rasti është iniciuar “hetim mbi vdekje”.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj tha se trupi i 34-vjeçares është dërguar në IML për obduksion dhe rasti po hetohet në koordinim me Policinë.
DTV merr vesh se i dashuri i saj në polici ka deklaruar se gruaja nga Gjakova u hodh nga dritarja e hotelit, pas një fjalosje mes çiftit.
Viktima, emër i njohur për redaksinë, është vajza e një familje të njohur afariste në qytetin e Gjakovës, derisa vetë ishte një specialiste në estetikën e thonjve.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, përmes zëdhënëses për Rajonin e Prishtinës.
“Sot në stacionin policor të Graqanicës është iniciuar një rast hetim mbi vdekjen, ku viktimë është një femër 34 vjeç, vdekjen e së cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, ka konfirmuar, Flora Ahmeti.