Në Gjykatën e Pejës po vazhdon i mbyllur gjykimi ndaj të akuzuarve për rastin e vrasjes së trefishtë të ndodhur në fshatin Gllogjan më 26 nëntor të vitit 2021, ku humbën jetën 2 nxënës dhe shoferi i autobusit.
Autobusi që po qarkullonte në rrugët e fshatit me nxënës, ishte sulmuar me kallashnikov.
Për këtë ngjarje tragjike Prokuroria po akuzon Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj.
Seanca e sotme gjyqësore u mbajt e mbyllur për publikun, pasi që ishte radha e një nxënësi që ishte duke udhëtuar në autobus për t’u dëgjuar si dëshmitar dhe i dëmtuar. Në atë kohë, ai ishte në moshën 16-vjeçare.
Përveç këtij dëshmitari, gjykata e pa të arsyeshme ta mbyllë seancën edhe kur dëshmoi gruaja e shoferit të vrarë G.Gj.
Sipas dosjes së Prokurorisë, kjo vrasje është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj G.Gj., duke e lidhur këtë vrasje me vetëvrasjen e ndodhur të H.M. në vitin 2020, e cila është bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.
Sipas prokurorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar të ndjerin, shoferin G.Gj..
Halil Mehmetaj, sipas prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës.
Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.
Në këtë gjykim janë dëgjuar rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike.
Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen kritike që u humbi jetën fëmijëve të tyre.
Lidhur me hakmarrjen në fjalë për të cilën prokuroria po dyshon si motiv të vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen.
Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.
Tutje, familja e nxënëses së vrarë dhe familja Mehmetaj janë kushërinj mes vete.
Në fund të dëshmisë së Florim Mustafaj, i akuzuari Halil Mehmetaj kishte thënë se nuk po besonte se ai (Florimi) kishte ardhur për të dëshmuar kundër tij.
“Nuk po u besoj as syve e as veshëve që Florimin e kam në cilësinë e dëshmitarit kundër meje, se e kam vëlla” – ishte shprehur ai para gjykatës.
Për këtë rast, provat të cilat prokuroria thotë se do e mbështesë akuzën e saj janë dëshmitë e dëshmitarëve, provat materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.
Akuza përfaqësohet nga prokurorja e rastit Sahide Gashi.
Rasti gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj-Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.