/

Pushkë, pistoleta e municion – krejt çka u gjetën gjatë bastisjes në shtëpinë e biznesmenit Pulaj në Prizren

Trembëdhjetë persona, prej tyre dymbëdhjetë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës sot gjatë një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion. Ata dyshohet se kanë kryer veprat penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ‘Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin’ dhe ‘Shmangie nga tatimi’.

Në mesin e të arrestuarve është edhe pronari i tri bizneseve në Prizren, Feim Pulaj, të cilit iu bastisën shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse.

Përmes një komunikate për media, Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve janë gjetur disa armë dhe municion pa leje.

Armët u gjetën pikërisht në shtëpinë e Pulajt, i cili tashmë ndodhet në masën e ndalimit policor.

Në shtëpinë e biznesmenit Pulaj u gjetën dhe sekuestruan një pushkë automatike, një pushkë gjysmë automatike me dylbi, tri pistoleta dhe një sasi e konsiderueshme e municionit të kalibrave të ndryshme.

“Në këtë rast janë sekuestruara armët bashkë me municionin dhe nga Stacioni Policor Prizren janë filluar hetimet për veprën penale “Mbajtje në pronësi kontroll, posedim apo shfrytëzim i pa autorizuar i armës”, ndërsa i dyshuari është marrë nga hetuesit e Drejtorisë së Përgjithshme lidhur me veprat tjera”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndryshe, Gazeta ka siguruar listën me emrat e 12 zyrtarëve të ATK-së, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, bashkë me biznesmenin prizrenas, Feim Pulaj.

Sipas komunikatës së Prokurorisë, zyrtarët e ATK-së dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’, ashtu që të dyshuarit, Feim Pulaj, i cili ka në pronësi tri biznese në Prizren, ia kanë njohur të rregullta 23 fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, kinse për ndërtimin e një hoteli i cili veç se ishte i ndërtuar, e të cilat fatura i kishte pranuar nga të dyshuarit tjerë, B.B., dhe B.B., të cilët janë pronarë të një biznesi në Podujevë dhe momentalisht janë në arrati.

“Si rezultat i këtyre veprimeve, zyrtarët e ATK-së i kanë njohur të drejtën e rimburisimit të TVSH-së së zbritshme në shumën prej 2.8 milion euro për çka ekziston edhe një Urdhër i Përmbaruesit Privat për rimbursim të detyruar nga Buxheti i Kosovës, por se kjo procedurë është pezulluar në momentet e fundit për shkak të inicimit të rastit penal ndaj të pandehurve të lartcekur”, thuhet në komunikatë.

Pronari i hotelit ‘Lakeside’ në Vërmicë të Prizrenit, Feim Pulaj, i cili dyshohet se në bashkëkryerje me dy persona tjerë, dyshohet se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 2.8 milionë euro.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor pritet që të parashtrohet kërkesa për paraburgim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.