Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), dje në orët e mbrëmjes kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes të një automjeti dhe një këmbësori ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private).
Është bërë me dije se hetuesit e IPK-së me të pranuar informacionin kanë filluar të ndërmarrin veprimet fillestare hetimore në koordinim me prokurorin kujdestar.
Sipas hetimeve fillestare, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 17:00 në rrugën “Hasan Prishtina” në Obiliq dhe dyshohet se drejtuesi i automjetit ka goditur këmbësoren, e cila në ato momente kishte qenë duke e kaluar rrugën.
Në njoftimin e IPK-së është thënë se pasi ka ndodhur aksidenti, vozitësi ka dërguar për tretman mjekësor të lënduarën në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Obiliq, e më pas nga stafi mjekësor e njëjta është dërguar për trajtim në QKUK Prishtinë.
“Pas veprimeve hetimore, me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Rrezikimi i trafikut publik’ nga IPK-ja është arrestuar i dyshuari (zyrtari policor) ndaj të cilit prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë. Si pjesë e procedurës administrative hetimore zyrtari policor është suspenduar nga puna”, ka njoftuar IPK-ja, duke shtuar se veprime të tjera hetimore do të ndërmerren në vijim.