/

Kurti falënderon Pendarovskin për vendimin që të shtohen trupat maqedonase në kuadër të KFOR-it ​

Kryeministri Albin Kurti ka falënderuar presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për siç ka thënë mbështetjen që ky vend ia ka ofruar Kosovës në çështje të ndryshme me interes të përbashkët, veçanërisht në rrafshin ndërkombëtar përmes përkrahjes në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kështu u tha në takimin që të dy liderët e zhvilluan sot në Prishtinë.

“Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektiv nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë. U fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti po ashtu falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedonisë së​ Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it,

“Presidenti Pendarovski u shpreh mirënjohës për mikpritjen sot. Ai tha se Kosova dhe Maqedonia e Veriut përveç marrëdhënieve shumë të mira, kanë edhe të njëjta qëllime strategjike, dhe se ajo është e gatshme që të ndajë me Kosovën përvojat e saj sa i përket integrimit evropian dhe anëtarësimin në NATO”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.