Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku vajzat dhe gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar gjatë ditës së djeshme një 20-vjeçare në Prishtinë, e cila ka denoncuar vëllain e saj për dhunë.
DTV mëson se viktima ka deklaruar se vëllai i saj 17-vjeçar e ka sulmuar fizikisht dhe si pasojë e kësaj ka marrë lëndime trupore. E reja ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
I mituri është intervistuar nga organet e hetuesisë në praninë e prindit dhe zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.