/

Ambasadori Hovenier takohet me guvernatorin e BQK-së, kërkon të shtyhet vendimi për dinarin serb

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka njoftuar se është takuar me Guvernatorin e Bankës Qëndrore të Kosovës, Ahmet Ismaili.

Në llogarinë e tij në X, Hovenier tha se ai përsëriti shqetësimet e Shteteve të Bashkuara në lidhje me vendimin e BQK-së sa i përket ndalimit të dinarit serb.

“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ tek qytetarët”, tha Hovenier.

Kujtojmë se Departamenti amerikan i shtetit, përmes një zëdhënësi të tij, i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë vendimin e Bankës Qendrore për pezullimin e dinarit serb. Thirrja erdhi pak ditë pas vendimit të Bankës Qendrore për heqjen nga tregu të dinarit serb dhe pas reagimeve edhe të Bashkimit Evropian, i cili kërkoi që për këtë çështje të flitet në Bruksel.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi tha se në territorin e Kosovës duhet të zbatohet kushtetuta dhe në këtë formë në Kosovë duhet të qarkullojë vetëm një monedhë.

“Nuk ka logjikë në njërën rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta të implementohet në tërësi siç është rasti i tokës për Manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës që thotë se ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë të njëjtit miq të thonë po këtë mos e zbatoni…”, tha ai.

Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e operacioneve me para të gatshme. Me synimin për të luftuar paratë e falsifikuara dhe format e tjera të krimit financiar, ajo specifikon se euro është e vetmja monedhë e lejuar për pagesa “cash” (para të gatshme) dhe digjitale në vend.

Rregullorja thekson se valutat e tjera që nuk janë euro mundë të përdoren vetëm si gjëra me vlerë për t’u ruajtur në formë fizike, në llogari bankare për qëllime valutore.

Banka Qendrore e Kosovës ka potencuar se ky vendim ka të bëjë me ruajtjen e sistemit financiar.

BQK thekson se valuta e vetme do të jetë euro, por Rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.

Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se në takimin e së martës ndërmjet guvernatorit Ahmet Ismaili dhe ambasadorit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog është biseduar për Rregulloren për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila thekson se e vetmja valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar të pagesave në Republikën e Kosovës është euro.

Pas miratimit të kësaj rregulloreje, Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë – u bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e pakoordinuara. Nga blloku evropian po ashtu kanë thënë se janë dhe analizuar dhe duke kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim dhe për implikimet që ai mund të ketë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje.

“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.

Leave a Reply

Your email address will not be published.