Sipas parashikimeve zyrtare, popullsisë së Britanisë së Madhe pritet që t’i shtohen 6.1 milionë njerëz deri në vitin 2036, dhe kjo për shkak të emigracionit.
Rritja e numrave pritet që të shtojë presionin, që ekziston tashmë, për kryeministrin Rishi Sunak që ta frenojë fenomenin përpara zgjedhjeve.
Rritja, e regjistruar gjatë një periudhe prej më shumë se 15 vjetësh, pasqyron një parashikim prej 541,000 lindjesh më shumë se vdekje dhe migrimin ndërkombëtar neto prej 6.1 milionë njerëzish.
Shifrat e publikuara në nëntor treguan se migracioni vjetor neto në Britaninë e Madhe arriti një rekord prej 745,000 njerëzish deri në vitin 2022 dhe ka mbetur i lartë që atëherë. Vendi pret emigrantë edhe nga vende si India, Nigeria dhe Kina por edhe nga vende të Europës.
Sunak është nën presion për të reduktuar nivelin e lartë të imigracionit legal, i cili ka dominuar prej kohësh peizazhin politik britanik dhe do të jetë një çështje madhore në zgjedhjet që priten më vonë këtë vit.
Qeveria e tij muajin e kaluar njoftoi masa më të ashpra për viza , duke përfshirë rritjen e kufirit të pagës minimale për disa emigrantë që sjellin anëtarë të familjes në vend, një veprim i kritikuar nga bizneset dhe sindikatat.
Sipas parashikimeve, popullsia e Britanisë së Madhe pritet të arrijë në 70 milionë deri në mesin e vitit 2026.