/

Në 27-vjetorin e rënies kujtohen Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha

Në 27-vjetorin e rënies janë kujtuar komandanti Zahir Pajaziti si dhe bashkëluftëtarët e tij Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha.

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe pranë shtatores së komandantit Zahir Pajaziti në Prishtinë.

Homazhe te shtatorja e Zahir Pajazitit në Prishtinë ka bërë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me zyrtarë të tjerë të partisë.

“Nuk ka asgjë më të shtrenjtë sesa liria. Duke e ditur këtë, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha u organizuan kundër pushtuesit dhe robërisë, sepse, ata, lirinë që kishin në zemrat dhe mendjet e tyre, e donin për të gjithë Kosovën. Për këtë ideal, ndër pushkët e para të lirisë, dhanë edhe jetën më 31 janar të vitit 1997, duke u shndërruar në shembull dhe frymëzim për gjeneratën e artë të burrave dhe grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Pajaziti, Zejnullahu e Hoxha janë kujtuar edhe nga kryetar i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

“Në 27 vjetorin e rënies kujtojmë me mall e respekt komandantin e parë të UÇK-së, kryetrimin Zahir Pajaziti dhe dy heronjtë Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Kosova më 31 janar 1997 humbi tre luftëtarë e tre heronj, por fitoi rrugën ndriçuese e ta pakthyeshme për luftën çlirimtare dhe lirinë e Kosovës. Vepra sublime e Zahirit, Hakifit dhe Edmondit është kthyer në frymëzim për brezat e ri. Ne do t’i nderojmë e kujtojmë gjithmonë për sakrificën dhe kontributin e tyre për lirinë e Kosovës. Lavdi jetës dhe veprës heroike të Zahir Pajazitit, Hakif Zejnullahut dhe Edmond Hoxhës”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Më 31 janar të 1997-s, komandanti Zahir Pajaziti së bashku me bashkëluftëtarët Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën ranë në pritë nga forcat serbe, në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.